Shkolla “Abdulla Krashnica” në Miratoc pajiset me 50 laptopë nga diaspora
Shkolla fillore “Abdulla Krashnica” në Miratoc ka përfituar një donacion të rëndësishëm në pajisje teknologjike, duke u pasuruar me 50 laptopë dhe pajisje të tjera përcjellëse.

Drejtori i shkollës, Muhamet Mustafa, ka bërë të ditur se donacioni është siguruar nga Lulzim Raqipi, me prejardhje nga Presheva, i cili jeton dhe vepron në Zvicër. Përveç laptopëve, ai ka dhuruar edhe monitorë dhe pajisje të tjera që do të ndihmojnë drejtpërdrejt procesin mësimor.
Sipas Mustafës, ky kontribut do të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e kushteve të mësimdhënies dhe mësimnxënies, duke u mundësuar nxënësve qasje më të lehtë në teknologjinë moderne dhe duke rritur cilësinë e arsimit në shkollë.

Në emër të stafit dhe nxënësve, drejtori ka shprehur mirënjohje të thellë për donatorin, duke e cilësuar këtë ndihmë si një investim të rëndësishëm për të ardhmen e fëmijëve.
Falënderim i veçantë është adresuar edhe për Shkëlzen Hysenin, i cili ka mundësuar transportin falas të pajisjeve nga Zvicra deri në Miratoc.