KALENDARI HISTORIK
Më 13 prill të vitit 1989 vdiq, Avni Zajmi. Ishte atdhetar, mësues, sportist i dalluar. Ka qenë sekretar i Hasan Prishtinës. Anëtar i Shoqërisë “Bashkimi”, shok i ngushtë i Avni Rrustemit. Ai lindi në Vushtri ku kreu edhe medresenë. Shkollën e mesme e kreu në Stamboll dhe studimet e larta në Dizhon të Francës. Ishte njohës i disa gjuhëve të huaja si frëngjisht, italisht, turqisht e arabisht, rinia e Avni Zajmit përkoi me shtrimin në plan të parë të çështjes shqiptare. Dhe në angazhimin e tij patriotik nuk mund të ndikonte figurë më atdhetare sesa ajo e Hasan Prishtinës, njëherësh kushëri i tij nga nëna. Si përfaqësues i nxënësve shqiptarë të udhëhequr nga deputeti i parlamentit turk Prishtina, Avni Zajmi kontribuoi në vitet 1908-09, në realizimin e mësimit shqip në shkollat e Shkupit. Mësuesi i gjimnazit të parë shqip u caktua Sali Gjuka, firmëtar i deklaratës së pavarësisë në Vlorë. Pikërisht katër vjet më vonë, Zajmi ishte sekretari i besuar kur Hasan Prishtina drejtonte kryengritjen e përgjithshme të Kosovës që i parapriu pavarësisë. Pas vdekjes, Komiteti Olimpik Botëror në vitin 1996 e ka nderuar me dekoratën e “100 vjetorit të Lojërave Olimpike”.
a1info