Fillon ndërtimi i sallës së sportit në Shkollën Fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc
Bujanoc – Një lajm i shumëpritur për nxënësit dhe komunitetin lokal është bërë realitet: ka nisur ndërtimi i sallës së sportit në Shkollën Fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc. Ky projekt pritet të përmirësojë ndjeshëm kushtet për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe edukative për gjeneratat e sotme dhe ato që do të vijnë.

Projekti merr një rëndësi të veçantë pasi financimi është siguruar nga Bashkia e Tiranës, e udhëhequr nga Erion Veliaj. Ky bashkëpunim vjen si rezultat i një fryme të mirë koordinimi ndërmjet pushtetit të kaluar në Bujanoc dhe institucioneve shqiptare në rajon, veçanërisht me kryeqytetin shqiptar.
Kontribut të rëndësishëm në realizimin e këtij projekti kanë dhënë gjithashtu Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Beograd, të cilat janë vlerësuar për mbështetjen e vazhdueshme.
Ky investim konsiderohet si një hap konkret drejt krijimit të kushteve më të mira për fëmijët dhe të rinjtë në Bujanoc, duke kontribuar në zhvillimin e tyre fizik dhe social për shumë vite me radhë.
