Hapet Zyra për të Huaj në Gjilan, lehtësohen procedurat për qytetarët e rajonit
Në Gjilan është hapur Zyra për të Huaj në kuadër të Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, duke shënuar një zhvillim të rëndësishëm për qytetarët e rajonit të Anamoravës dhe më gjerë.
Kjo zyrë do t’u shërbejë veçanërisht qytetarëve nga Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe atyre nga Maqedonia e Veriut që jetojnë në këtë rajon, duke u mundësuar aplikimin për leje qëndrimi pa pasur nevojë të udhëtojnë në qytete të tjera.
Koordinatori i Zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në Komunën e Gjilanit, Enver Haziri, e cilësoi hapjen e kësaj zyre si një arritje të rëndësishme dhe të shumëpritur. Ai bëri të ditur se zyra ka nisur punën më 16 mars 2026 dhe tashmë është funksionale për qytetarët.
“S’kemi lënë derë pa trokitur për tri vite me radhë për hapjen e kësaj zyre. Sot, më në fund, qytetarët tanë do t’i kryejnë procedurat shumë më lehtë,” u shpreh Haziri.
Sipas tij, ky shërbim i ri pritet të sjellë lehtësime të dukshme për qytetarët e Luginës së Preshevës, duke reduktuar kohën dhe kostot që lidhen me procedurat administrative.
Haziri shprehu gjithashtu mirënjohje për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për mbështetjen në realizimin e këtij projekti, i cili konsiderohet si një hap konkret drejt përmirësimit të shërbimeve për qytetarët e rajonit.