Plagoset rëndë një polic në pikën kufitare Depcë, autori në arrati
Një efektiv policie është plagosur rëndë mbrëmjen e kaluar në pikën kufitare Depcë, në drejtim të Kosovës, ndërsa autori i dyshuar i sulmit është ende në arrati.
Sipas njoftimit të Sindikatës së Pavarur të Policisë në Vranjë, incidenti ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrës në zonën që mbulohet nga Stacioni Policor i Preshevës.
“Në zonën e Stacionit Policor të Preshevës, në ZTP Depcë, gjatë kryerjes së detyrës, kolegu ynë u plagos rëndë nga një person i kërkuar”, thuhet në reagimin e sindikatës.
Menjëherë pas ngjarjes, kolegët e policit të plagosur i kanë dhënë ndihmën e parë në vendngjarje, ndërsa më pas ai është transportuar për trajtim të specializuar mjekësor.
Sindikata ka shprehur mirënjohje për stafin e Qendrës Shëndetësore në Preshevë, veçanërisht ekipin e emergjencës, si dhe për personelin e repartit të kirurgjisë në Vranjë, ku po vazhdon trajtimi i të plagosurit.
Ndërkohë, autoritetet janë vënë në kërkim të personit të dyshuar, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë në vijim.