MAHIR DOMI-PROFESOR
1915 – Lindi në qytetin e Elbasanit Mahir Domi. Ndoqi studimet e larta për filologji klasike dhe u diplomua në Universitetin e Grënoblës në Francë më 1941. Po atë vit filloi punën si mësues e më pas si drejtor në Normalen të Elbasanit. Ai punoi me përkushtim e dha ndihmesën e tij të çmuar si mësues e pedagog në hartimin e planeve dhe të programeve të reja të shkollës sonë, si edhe me librat e gjuhës dhe të letërsisë, që hartoi për nevoja të niveleve të ndryshme parauniversitare e universitare të shkollës. Veç punës së tij të gjerë në fushën e mësuesisë, prof. M. Domi dha një kontribut të shquar në shumë fusha të dijes albanologjike, në të gjitha shkencat filologjike e letrare shqiptare, në radhë të parë në fushë të studimeve gjuhësore, duke u bërë një nga gjuhëtarët më të shquar, me një njohje të gjerë brenda dhe jashtë vendit. Veprimtaria shkencore e shumanshme e ka bërë të njohur prof. M. Domin edhe në Kosovë e vise të tjera shqiptare, si dhe jashtë kufijve. Ai nderohet e vlerësohet nga studiues të ballkanologjisë e të indoevropianishtes. Krahas veprës së tij të gjerë shkencore, ai ka lënë kujtimin e një shkencëtari të palodhur erudit, me horizont të gjerë, të njeriut të ndershëm e fisnik, i cili një pjesë të jetës së tij, me dashamirësinë dhe zemërgjerësinë që e karakterizonte, ia kushtoi përgatitjes së brezit të ri.
a1info