Enver Mehmeti kërkon që Bashkimi i Luginës të jetë prioritet në dialog
Ish-përfaqësuesi i Zyrës së Këshillit Nacional, Enver Mehmeti, ka deklaruar se Bashkimi i Luginës me Kosovën duhet të jetë prioritet në dialogun politik. Sipas tij, këtë kërkesë ai ia kishte paraqitur edhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe kryeministrit Albin Kurti, por përgjigjja e tyre ishte se kjo ide konsiderohet si “ide e Thaçit”.
Mehmeti thekson se përtej mospajtimeve apo inateve personale në politikë, çështja e Luginës është shumë më e madhe. Ai rikujton se Lugina historikisht ka qenë pjesë e Kosovës, ka mbajtur referendum për bashkim dhe madje ka zhvilluar edhe luftë me synimin për t’u bashkuar me Kosovën.
Sipas tij, shqiptarët e Luginës e duan një Kosovë funksionale dhe të zhvilluar, por kërkojnë që, përtej interesave të momentit politik, Lugina të trajtohet si prioritet për bashkim kombëtar dhe për integrim, me qëllim arritjen e një paqeje afatgjate.
Në reagimin e tij, Mehmeti kritikon edhe pranimin e mundshëm të “zajednicës” nga politika e Kosovës, duke vlerësuar se një mekanizëm i tillë mund të jetë i dëmshëm jo vetëm për Republikën e Kosovës, por edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ai paralajmëron se, sipas tij, me kalimin e kohës rrezikohet edhe mbijetesa e shqiptarëve në këto troje autoktone.