Agim Rushiti: Vendosja e gurthemelit të kampusit të Universiteti Nënë Tereza në Shkup, ditë historike për arsimin e lartë shqip
Shkup, 7 mars – Në Ditën e Arsimit Shqip, është vendosur gurthemeli i Kampusit të ri të Universiteti Nënë Tereza në Shkup, një projekt i madh arsimor me vlerë rreth 42 milionë euro, që synon të krijojë kushte moderne për zhvillimin e arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Maqedonia e Veriut.
Prof. Dr. Agim Rushiti, i cili ishte pjesë e procesit të themelimit të universitetit, e cilësoi këtë moment si një faqe të re dhe kapitull krenarie në historikun e arsimit të lartë shqiptar. Ai rikujtoi se universiteti u themelua me ligj nga Parlamenti i Maqedonisë dhe u publikua në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë” më 25 dhjetor 2015, ndërsa aktivitetin akademik e nisi në vitin akademik 2016/2017.
Sipas Rushitit, nismat për themelimin e universitetit filluan që në fillim të vitit 2015, pas angazhimit politik për krijimin e universitetit të dytë shtetëror në gjuhën shqipe. Në atë kohë, ministri i Arsimit dhe Shkencës, i ndjeri Abdilaqim Ademi, e autorizoi Rushitin që të drejtojë dhe koordinojë pesë komisione amë për themelimin e pesë njësive, përkatësisht fakulteteve të para të universitetit.
Rushiti thekson se puna për themelimin e universitetit u zhvillua me përkushtim të madh, përmes përgatitjes së elaborateve për fakultetet, dokumentacionit për akreditim dhe hartimit të ligjit për themelimin e universitetit, i cili më pas u miratua nga Parlamenti.
Ai nënvizoi se dy figura kyçe politike të asaj kohe në realizimin e kësaj nisme ishin ministri Abdilaqim Ademi dhe kryetari i atëhershëm i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ndërsa mbështetje institucionale dhanë edhe anëtarë shqiptarë të Bordit të Akreditimit dhe Evaluimit të Arsimit të Lartë.
Sipas Rushitit, vendosja e gurthemelit të kampusit përkon edhe me një dekadë nga themelimi i universitetit, duke e bërë këtë datë një moment simbolik për arsimin e lartë në gjuhën shqipe.
Ai paralajmëroi gjithashtu se së shpejti do të publikojë një botim të veçantë kushtuar historikut të themelimit të Universitetit “Nënë Tereza”, ku do të prezantohen dokumente dhe fakte nga procesi i krijimit të këtij institucioni.
“Dita e sotme është ditë historike për arsimin e lartë shqip,” theksoi Rushiti.