Fisnik dhe Besnik Dauti organizojnë iftar në vendlindje me rastin e 15-vjetorit të kompanisë BeFi Facility Services AG
Preshevë – Me rastin e shënimit të 15-vjetorit të kompanisë së tyre BeFi Facility Services AG, vëllezërit Fisnik dhe Besnik Dauti nga fshati Miratoc i komunës së Preshevës organizuan një iftar në vendlindjen e tyre, duke bashkuar familjarë, miq dhe bashkëvendës.

Në një mesazh publik të shpërndarë në rrjetin social Facebook, Fisnik Dauti theksoi se ky përvjetor ishte një moment i veçantë për ta, ndaj vendosën që këtë iftar ta organizojnë pikërisht në vendin ku kanë rrënjët e tyre.

“Këtë iftar vendosëm ta bëjmë duke marrë rrugën drejt vendlindjes. Këtu është vendi ku fillon çdo ëndërr, ku janë rrënjët tona dhe kujtimet tona më të shtrenjta. Edhe pse zemra na dhemb kur shohim se vendlindja jonë po zbrazet nga rinia, që çdo ditë merr rrugën e kurbetit për një jetë më të mirë”, ka shkruar ai.

Ai shtoi se dashuria për vendlindjen duhet të mbetet gjithmonë e gjallë, pavarësisht se sa larg mund t’i çojë jeta njerëzit.
“Ne besojmë se dashuria për vendlindjen duhet të mbetet gjithmonë gjallë dhe se çdo kthim, çdo hap dhe çdo kontribut për të është një bekim, sado larg të na çojë jeta. Ju falënderojmë të gjithëve nga zemra që na nderuat me ardhjen tuaj dhe na dhatë forcë, ngrohtësi dhe shpresë. Falënderojmë Allahun për çdo të mirë dhe për njerëzit e mirë që kemi pranë”, shkroi Dauti.

Vëllezërit Dauti njihen gjithashtu për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në aktivitete humanitare. Ata kanë kontribuar rregullisht në ndihmë të familjeve në nevojë dhe projekteve sociale, ndërsa kanë realizuar edhe investime në Preshevë, duke dëshmuar përkushtimin dhe dashurinë e tyre ndaj vendlindjes.
Përmes aktiviteteve të tilla dhe investimeve në vendlindje, ata synojnë të japin kontribut në zhvillimin e komunitetit dhe të ruajnë lidhjen e fortë me Preshevën.







