KALENDARI HISTORIK
Më 3 mars 1935 lindi, Fitnete Rexha, këngëtare, Artiste e Popullit. Fitnete Rexha është “Artiste e Merituar”. Një ndër këngëtaret më të shquara të muzikës popullore të Shqipërisë së mesme, kryesisht të muzikës popullore qytetare tiranase. Fitnetja bie në kontakt me traditën e muzikës popullore qytetare tiranase në familjen e saj. Vajza më e vogël e Babë Rexhë Delisë “Hero i Popullit”, familja krutane e të cilit njihet për vlerat e traditës, kultivonte prej shumë brezash këngën popullore. Rreth moshës 15 vjeçare këndon dhe regjistron këngët e para popullore në Radio-Tirana nën shoqërinë e grupit orkestral të Shqipërisë së mesme. Fillimisht fillon punë si këngëtare në Estradën e Tiranës dhe më pas aktiviteti i saj si këngëtare u zhvillua tërësisht në Ansamblin Kombëtar të këngëve dhe Valleve në Tiranë deri në daljen në pension në vitin 1981. Ka regjistruar rreth 200 këngë popullore të Shqipërisë së Mesme. Regjistrimet muzikore të saj gjenden kryesisht pranë Radio-Tiranës. Fitnete Rexha vdiq në Tiranë, më 14 gusht 2003.
A1info