Letër e Hapur që Ther Ndërgjegjen: Klithma e Preshevës Kundër Boshatisjes dhe Heshtjes Institucionale
Nga larg, në mërgim, zemra e bashkëatdhetarëve tanë rreh fort për Preshevën. Ata e shohin boshatisjen e vendlindjes me dhimbje e mall; e ndjejnë çdo derë që mbyllet, çdo shtëpi që mbetet pa zë fëmijësh, çdo rrugë që hesht. Shpirti nuk u fle, sepse dashuria për tokën ku u rritën nuk shuhet kurrë. Klithma e tyre është thirrje për ndërgjegje, për përgjegjësi dhe për veprim.
Në këtë frymë shqetësimi e dashurie për vendlindjen, bashkëatdhetari ynë, gazetari Arben Memeti, i drejtohet me një letër të hapur kryetares së komunës, Ardita Sinani. Më poshtë e gjeni letrën e plotë, pa asnjë ndryshim:
Letër e Hapur për Ardita Sinani
E nderuara Kryetare,
Po ju shkruaj jo vetëm si gazetar, por si bir i kësaj toke që po zbrazet çdo ditë. Unë, Arben Mehmeti, Gazetar i Diplomuar, po ju drejtohem me dhimbje dhe indinjatë për realitetin e hidhur që po përjeton Presheva.
Presheva po plaket. Rinia po ikën. Shtëpitë po mbyllen. Rrugët po heshtin. Çdo familje ka sot një djalë apo vajzë në mërgim. Europa po përthith rininë e Luginës, ndërsa këtu mbeten vetëm prindërit me sy nga dera dhe shpresa që po shuhet.
Gjatë mandatit tuaj, çfarë u bë konkretisht për ta ndalur këtë tragjedi të heshtur?
Diskriminimi i shqiptarëve vazhdon. Pasivizimi i adresave po i fshin qytetarët nga regjistrat, sikur të mos ekzistojnë. Mosnjohja e diplomave po i poshtëron të rinjtë tanë të arsimuar, duke ua mbyllur derën e dinjitetit. Kriza ekonomike ka shtrënguar çdo familje — papunësia është bërë normale, varfëria është bërë rutinë.
Ku janë fabrikat e premtuara?
Ku janë investitorët?
Ku është strategjia për punësimin e të rinjve?
Rinia nuk largohet nga dëshira, por nga dëshpërimi. Ajo largohet sepse nuk sheh të ardhme. Politika flet për projekte, por qytetarët kërkojnë bukë, punë dhe siguri.
A jeni e vetëdijshme se çdo i ri që largohet është një plagë për Preshevën? Se çdo diplomë e pavlerësuar është një ëndërr e vrarë? Se çdo adresë e pasivizuar është një padrejtësi që rëndon mbi ndërgjegjen institucionale?
Historia nuk do të gjykojë fjalët, por veprat. Mandatet kalojnë, por pasojat mbeten. Sot Presheva ka nevojë për veprime të guximshme, për përballje të hapur me padrejtësitë, për një plan real ekonomik — jo për heshtje dhe justifikime.
Sepse nëse vazhdojmë kështu, nesër nuk do të kemi më rini për ta shpëtuar.
Me shqetësim të thellë,
Arben Mehmeti
Gazetar i Diplomuar