Kryetarja Ardita Sinani priti në takim mezosopranon Besiana Mehmedi
Kryetarja e Komunës, Ardita Sinani, ka pritur në një takim të veçantë artisten e mirënjohur Besiana Mehmedi – mezosoprano dhe profesoreshë ordinare në Universitetin e Tetovës, e cila së fundmi shënoi sukses me Operën e Kosovës “Goca e Kaçanikut” në Teatrin e Operës në Shkup.

Gjatë takimit, Kryetarja Sinani e përgëzoi Mehmedin për arritjet e saj artistike dhe kontributin e vazhdueshëm në promovimin e kulturës dhe artit shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Nga ana e saj, artistja falënderoi për mbështetjen dhe vlerësimin institucional, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për zhvillimin e jetës kulturore.
Bashkëbisedimi u fokusua në plane dhe projekte kulturore me rëndësi të veçantë, të cilat mbeten prioritet për t’u realizuar në të ardhmen përmes një bashkëpunimi të ngushtë. Po ashtu, në takim u diskutua për rolin e gruas në shoqëri dhe ndikimin e artit në edukimin dhe formimin e gjeneratave të reja.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të kulturës dhe mbështetjes së artistëve, me synimin për të sjellë iniciativa të reja që pasurojnë jetën kulturore dhe promovojnë vlera të mirëfillta shoqërore.