Klientelizmi si mjet kontrolli politik dhe zbrazjeje demografike në Preshevë
Udhëheqësia në Preshevë nuk buron nga dinjiteti, as nga programet politike që prezantohen para qytetarëve. Ajo buron nga klientelizmi që është ndërtuar ndër vite. Një sistem ku gjithçka funksionon mbi shkëmbim interesash: unë ty votën, ti mua shtyllën elektrike; unë ty 50 euro, ti mua votën.
Një pjesë tjetër e këtij mekanizmi është presioni i drejtpërdrejtë politik. Nëse qytetari nuk rreshtohet me subjektin që udhëheq, pasoja mund të shkojnë deri në largim nga puna apo forma të tjera represioni politik, që në thelb përbëjnë një lloj refashizmi lokal.

E gjithë kjo bëhet e mundur nga heshtja e organeve të shtetit, prokurorisë dhe policisë. Deri më tani, asnjë lider apo udhëheqës lokal nuk është arrestuar, pavarësisht dyshimeve serioze dhe rasteve konkrete të dëshmuara. Kjo krijon bindjen se Serbia ka gjetur mënyrën më efikase për të na shkatërruar nga brenda.
Ekzistojnë raste të dokumentuara ku liderë lokalë janë falur nga veprat penale për të cilat dyshohet se kanë vjedhur pasurinë publike dhe fondet e destinuara për shqiptarët e Preshevës. Nuk bëhet më fjalë për dyshim, por për një praktikë ku ata që i shërbejnë sistemit mbrohen nga ndëshkimi.
Klientelizmi dhe varfëria në Preshevë përshkruhen më së miri përmes menaxhimit të fondeve që vijnë nga Republika e Kosovës. Parti që ishin drejt shuarjes erdhën në pushtet përmes këtyre fondeve, duke ua shitur qytetarëve shpresën për ndihma konkrete. Qytetarët u tradhtuan, sepse sot detyrohen të votojnë përsëri dhe të jenë klientë të PVD-së dhe PDSH-së për të përfituar ndonjë ndihmë eventuale.

Në këtë mënyrë, udhëheqësit lokalë janë pasuruar, duke u bërë milionerë, ndërsa nuk ka asnjë veprim konkret për zhvillim ekonomik. Arsyeja është e qartë: nëse populli do të kishte të ardhura të qëndrueshme nga bujqësia, blegtoria apo bizneset e vogla, ata do të humbnin klientët, do të humbnin pushtetin dhe nuk do të mund t’i vjedhnin më shqiptarët e Preshevës.
Në këtë valle janë përfshirë edhe disa media, të cilat flasin për diskriminimin shtetëror, por nuk flasin për lidershipin lokal që bashkëpunon me Vuçiqin, Daçiqin dhe forcat e tjera destruktive. Kjo heshtje mediatike e mban gjallë këtë sistem.
Si pasojë e këtyre veprimeve, nga Presheva deri në Beograd, Lugina po zbrazet. Pasivizimi, dëshpërimi dhe mungesa e perspektivës po i shtyjnë njerëzit drejt emigrimit, kryesisht drejt Gjermanisë. Ky është rezultati i drejtpërdrejtë i korrupsionit, klientelizmit dhe bashkëpunimit politik që e ka kthyer Preshevën në një zonë pa shpresë për të ardhmen.
Derisa vota të trajtohet si mall dhe qytetari si klient, shtresa e korruptuar do të mbijetojë dhe Presheva do të humbasë njerëzit e saj.
Nga Kujtim Sadriu