Studentët nga Medvegja , Bujanoci dhe Presheva që studjojn në Universitete Publike të Shqipërisë dhe Kosovës të lirohen nga pagesa!
Mr. Sc. Refik HASANI
Studentët nga këto tri komuna do të duhej të lirohen nga pagesa e semestrit, vitit dhe pagesa të tjera, por edhe në akomodimin në konvikte dhe sigurimin e ushqimeve në menza, studentëve të këtyre universiteteve publike të jetë i rregulluar pa pagesë ose me një pagesë tepër të vogël simbolike. Kurse nëpër universitete e kolegje private, pagesa të jenë vetëm gjysma, si në studime po ashtu edhe në konvikte dhe menza për ushqim.
Dihet mirëfilli që për shumë vite është aplikuar njëanshëm taksa kufitare për shqiptarët nga Medvegja, Bujanoci dhe Presheva që kanë hyrë në Kosovë – këto të hyra t’u kthehen në njëfarë mënyre duke u ndihmuar në investime në kuadro nga ajo pjesë. Po ashtu, edhe Shqipëria ka obligim moral, kombëtar e kushtetues, të ngrisë dhe të mbrojë çështjen e shqiptarëve jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë.
Prandaj, studentët që regjistrohen nga tri komunat të lirohen fare nga pagesat për provime dhe semestrë për fakultete si për studime:
– Themelore
– Në MASTER
– Në DOKTORATURË dhe specializime të tjera
Universiteteve publike të dy shteteve shqiptare i bie hise më së shumti të investojnë jo vetëm në shkollimin dhe arsimimin e kuadrove të kësaj krahine shqiptare, por edhe në investime të tjera. Studentëve nga këto komuna, duke u mundësuar që të studiojnë sa më shumë në këto universitete publike, përveçse që do të ngriten në aspektin profesional, shpenzimet do t’i kenë më të pakta dhe po aq me rëndësi, do të punësohen në administratë, pasi ende kemi mungesë të profileve në gjykatë, shëndetësi, gjeodezi, kadastër etj.
Fryma shqiptare nuk mbrohet vetëm në Tiranë, Shkup e Prishtinë e gjetiu, por edhe në çdo cep të komunës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit dhe hapësirave tjera etnike shqiptare. Prandaj, lirim nga pagesa do të krijonte një motivim shtesë dhe një mbështetje morale.
Në këto tri komuna, të gjitha bibliotekat që janë të nivelit të shkollave e qyteteve të furnizohen dhe mbulohen nga buxhetet e dy qeverive. Duhet të ndihmohet edhe në arkivat komunale dhe arkivën qendrore në Beograd, ku ka të dhëna shumë të vlefshme, jo vetëm për shqiptarët në këto tri komuna, por edhe nga e tërë ish-hapësira e Jugosllavisë së dikurshme.
Këto tri komuna kanë nevojë për mbështetje financiare që të botohen libra e publikime që kanë të bëjnë me këto tri komuna, për mbështetjen e ndonjë gazete apo reviste javore. Gjithashtu, ne kemi disa ansamble dhe shoqëri kulturo-artistike që edhe këto do të duhej të mbështetën materialisht, sikurse edhe në investime në ruajtjen e objekteve dhe monumenteve kulturo-historike, dhe të merren ekspedita hulumtuese në arkeologji e fusha të tjera.
Presim që të fillojë një qasje e re që Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë të ndryshojnë qëndrimin ndaj krahinës së banuar me shumicë shqiptare, e cila ka mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë.