Tribuna për Mbulesën u mbajt në Preshevë me rastin e Ditës Botërore të Hixhabit
Preshevë, 31 janar 2026 – Në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë u zhvillua sot Tribuna për Mbulesën, në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Hixhabit, e cila kremtohet më 1 shkurt. Aktiviteti u organizua nga Bashkësia Islame në Preshevë, në bashkëpunim me Medresenë e Luginës së Preshevës.
Tribuna kishte për qëllim theksimin e rëndësisë së mbulesës si vlerë fetare, morale dhe identitare në jetën e gruas myslimane, si dhe nxitjen e vetëdijes shoqërore për rolin e saj në ruajtjen e dinjitetit dhe identitetit islam.
Programi filloi me leximin e ajeteve nga Kurani Famëlartë nga nxënësja Esma Ibrahimi. Përshëndetje të veçanta drejtuan profesoresha Luljeta Veseli, si nikoqire e manifestimit, dhe Kryetarja e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani.
Profesoresha Veseli nënvizoi se hixhabi nuk është thjesht veshje, por shprehje e besimit, moralit dhe dinjitetit të gruas myslimane. Ajo theksoi se mbulesa përfaqëson mburojë shpirtërore dhe morale, burim force, vetërespekti dhe krenarie, duke ftuar të pranishmet ta kuptojnë dhe jetojnë me bindje dhe krenari.
Znj. Sinani theksoi se besimi praktikohet gjatë gjithë jetës dhe se aktivitete të tilla forcojnë besimin dhe kujtojnë rëndësinë e qëndrimit në rrugën e drejtë, veçanërisht para muajit të shenjtë të Ramazanit. Ajo gjithashtu përgëzoi organizatorët për realizimin e këtij aktiviteti dhe u shpreh e kënaqur nga pjesëmarrja e madhe e grave.
Ligjërata qendrore u mbajt nga hfz. Emine Sopi, përfaqësuese e Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër, e cila trajtoi temën e mbulesës dhe rëndësinë e saj në jetën shpirtërore, morale dhe shoqërore të gruas myslimane.
Programi u pasurua me interpretime ilahish nga Motrat Burniku nga Republika e Kosovës, kori i nxënëseve të Medresesë së Luginës së Preshevës, si dhe me një video-monolog edukativ të përgatitur nga kryetari i Bashkësisë Islame, Mehmet ef. Sahiti, realizim teknik nga profesoresha Naxhije Sahiti dhe interpretim nga nxënësja Ruvejda Sahiti.
Në përmbyllje, u nda një mirënjohje për ligjëruesen hfz. Emine Sopi, ndërsa u falënderuan të gjitha institucionet, mysafiret dhe pjesëmarrëset që kontribuan në realizimin e tribunës, si dhe stafi dhe nxënëset e Medresesë së Luginës së Preshevës. Një falënderim i veçantë iu drejtua TAFA Event për dekorimin profesional të skenës.
Tribuna për Mbulesën u vlerësua si një aktivitet me rëndësi të veçantë edukative dhe shpirtërore, duke përcjellë mesazhe për ruajtjen e vlerave islame dhe identitetit të gruas myslimane.






