“BURGOSJA E LIBRAVE” – SPASTRIM KULTURORI ARSIMIT SHQIP NË PRESHEVË
Shkruan: Nehat Hyseni
Më 25 gusht 1981, në Preshevë u realizua një akt i hapur represioni shtetëror ndaj arsimit dhe identitetit kulturor shqiptar, i cili, në dritën e standardeve bashkëkohore ndërkombëtare, përbën një formë klasike të spastrimit kulturor dhe shkeljes sistematike të të drejtave të pakicave kombëtare.
Vizita e dy zyrtarëve më të lartë të Jugosllavisë së atëhershme – Fadil Hoxhës, anëtar i Kryesisë së RSFJ-së, dhe Dobrivoje Vidiqit, kryetar i Kryesisë së Republikës së Serbisë – nuk ishte një ngjarje edukative apo konsultative, por një demonstrim brutal pushteti dhe një paralajmërim i drejtpërdrejtë politik ndaj komunitetit arsimor shqiptar në Luginën e Preshevës.
Ndërsa Fadil Hoxha përfaqësonte një përpjekje të kufizuar për respektimin formal të barazisë kombëtare, Dobrivoje Vidiq u shfaq si zëdhënës i një politike represive serbocentrike, e cila e shihte ekzistencën kulturore shqiptare jo si të drejtë, por si kërcënim. Diskursi i tij ishte i zhveshur nga çdo normë dialogu, i mbushur me agresivitet ideologjik dhe me urrejtje të institucionalizuar, duke kulmuar në një kërkesë të drejtpërdrejtë për eliminimin e literaturës shqiptare nga hapësira arsimore.
Urdhri për largimin e librave të autorëve nga Shqipëria nga biblioteka e Gjimnazit “Skënderbeu” nuk ishte një masë administrative, por një akt i qëllimshëm i dhunës simbolike, që synonte ndërprerjen e vazhdimësisë kulturore shqiptare dhe amputimin e memories historike të një komuniteti të tërë. Ndalimi i veprave të Naim dhe Sami Frashërit, Ismail Kadaresë dhe autorëve të tjerë kanonikë shqiptarë përbënte një sulm frontal ndaj vetë ekzistencës kulturore shqiptare, një akt që sot do të kualifikohej pa mëdyshje si diskriminim etnik dhe shkelje e rëndë e lirisë akademike.
Kundërshtimi ynë profesional dhe moral – i bazuar në argumente krahasuese universale – nxori në pah absurditetin dhe karakterin racist të kësaj mase. U theksua qartë se ndalimi i autorëve shqiptarë ishte ekuivalent me ndalimin e autorëve themelorë të letërsisë serbe, si Jovan Jovanović Zmaj apo Borisav Stanković. Por pikërisht ky krahasim e ekspozoi thelbin e politikës shtetërore: standarde të dyfishta, ku kultura e shumicës mbrohej si “trashëgimi”, ndërsa kultura e pakicës kriminalizohej si “rrezik”.
Reagimi i aparatit shtetëror ishte i menjëhershëm dhe brutal. Rreth 3.000 libra u konfiskuan nga biblioteka e Gjimnazit dhe u zhvendosën në magazina industriale pranë Stacionit Hekurudhor të Preshevës, në ndërmarrjeve “7 Korriku”, sikur të ishin materiale të rrezikshme ose mbetje nukleare.
Ky akt nuk ishte thjesht censurë, por një formë e hapur e dehumanizimit kulturor: librat shqiptarë u përjashtuan nga hapësira publike, u fshehën nga nxënësit dhe u trajtuan si objekte të ndaluara, duke dëshmuar qartë synimin për zhdukjen graduale të pranisë kulturore shqiptare në arsim.
Në të njëjtën kohë, represioni u shtri edhe mbi nxënësit. U inskenua një i ashtuquajtur “rast disiplinor”, me synimin për të përjashtuar nga shkolla 12 nxënës shqiptarë, të gjithë me sukses të shkëlqyeshëm, duke u etiketuar arbitrarisht si “veprimtari armiqësore”. Ky ishte një mekanizëm tipik i regjimeve represive: kriminalizimi i ekselencës, ndëshkimi i dijes dhe frikësimi i brezit të ri si mjet kontrolli politik dhe etnik.
Fakti që kjo përpjekje dështoi, falë rezistencës profesionale të kolektivit pedagogjik dhe ndërhyrjes së Fadil Hoxhës, nuk e zbut aspak karakterin kriminal të veprimeve të ndërmarra. Përkundrazi, ai dëshmon se arsimi shqip në Preshevë mbijetonte nën presion të vazhdueshëm shtetëror, ku çdo e drejtë kulturore varej nga arbitrariteti politik dhe jo nga ligji.
Ky rast përbën një akt-akuzë të qartë ndaj politikës shtetërore të Serbisë në raport me shqiptarët, një politikë që asokohe dhe më vonë është manifestuar përmes censurës, asimilimit të detyruar dhe shtypjes sistematike të identitetit kulturor. Në terminologjinë juridike dhe politike bashkëkohore, këto praktika do të kualifikoheshin si shkelje flagrante e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe e parimeve themelore të UNESCO-s mbi mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe lirinë akademike.
Ky nuk është një episod i së kaluarës për t’u arkivuar, por një precedent i rrezikshëm që shpjegon qartë rrënjët historike të diskriminimit strukturor ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Heshtja ndaj këtyre fakteve nuk është neutralitet – është bashkëfajësi!
Preshevë, më 26 janar 2026