Presheva dhe Luginë e Zhgënjyer: Shpresa e Vrarë dhe Shpërfillja e të Varfërve
Katër milionë janë dhuruar, katër milionë janë keqpërdorur, dhe tetë milionë shpresa janë vrarë. Ky është realiteti i dhimbshëm i Preshevës dhe i gjithë Luginës së Preshevës, një realitet që nuk ka ndryshuar prej dekadash. Qeveria e Kosovës, që nga krijimi i saj, nuk ka ndarë kurrë fonde të mjaftueshme për këtë rajon. Ky është një fakt që flitet shpesh, por në të vërtetë shërben vetëm për klanet politike, të cilat vazhdojnë të ushqejnë pushtetin mbi shpresën e qytetarëve.

Presheva ndodhet në një situatë të vështirë, pothuajse si pasojë e spastrimit etnik dhe mungesës së investimeve. Një vit më parë, bujqve u premtua se do të përfitonin subvencione nga qeveria e Kosovës, duke krijuar një shpresë të vogël për mbijetesë dhe qëndrimin në vendlindje. Por kaluan muaj dhe vite; as subvencione, as mbështetje, as një fjalë e vetme. Kjo nuk është thjesht pabesi – është një goditje pas shpine për ata që besuan dhe prisnin.

Por shpërdorimi i shpresës nuk ndalet këtu. Presheva është një qytet pa shkollë muzike, pa mundësi për fëmijët të mësojnë teatër, balet apo aktivitete të tjera artistike. Para disa muajsh, një profesor universitar, i shoqëruar nga kryetarja e komunës, promovoi fillimin e një shkollë muzike. Një video u publikua me makineri ndërtimi dhe bagerë, duke dhënë shpresë për qytetarët. Por gjithçka ishte një mashtrim: pas incizimit, profesorët, kryetarja dhe punëtorët u larguan, duke lënë qytetarët të zhgënjyer dhe të dëshpëruar.

Ky skenar nuk është aksidental. Ai është i menduar mirë për të mbajtur pushtetin dhe për të shuar shpresën e njerëzve. Paratë e qeverisë janë ndarë vetëm për disa OJQ që kanë shpërndarë haraç, ndërsa shtresat më të varfra të bujqve nuk kanë marrë asgjë, dhe fëmijët nuk kanë mundësi të mësojnë muzikë apo art.

Kjo nuk është thjesht plaçkitje – është një strategji për të shkaktuar dëshpërim, depresion dhe migrim masiv drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera. Shqiptarët e Luginës po përballen me një spastrim etnik të heshtur, të realizuar nga liderët e tyre të zgjedhur. Një vend që duhet të ishte shpresë dhe qendrim për rininë, po kthehet në vend dëshpërimi dhe humbjeje të identitetit.
Presheva dhe Lugina e Preshevës nuk mund të shpëtojnë vetëm me një premtim ose një video propagande. Ajo ka nevojë për investime reale, drejtësi sociale dhe mbështetje konkrete për bujqit, rininë dhe fëmijët. Përndryshe, shpresa nuk do të ringjallet, por do të vazhdojë të digjet, një nga një, në heshtje.