KALENDARI HISTORIK
Më 25 janar 1822 u vra, Ali Pashë Tepelena, sundimtar, politikan, kundërshtar i Perandorisë Osmane, i Carit rus dhe i Napoelon Bonapartës, i njohur edhe si Sulltani iBallkanit. Ali Pashë Tepelena, i njohur nga qarqet evropiane si “Luani i Janinës”, ishte themelues i Pashallëkut autonom të Janinës, si dhe si kryengritës kundër pranisë së Perandorisë Osmane në vilajetet shqiptare. Lindi rreth viteve 1747 në Tepelenën e Labërisë. Familja e Ali Pashës ishte një nga familjet me të forta në trojet shqiptare. U dallua shumë shpejt për aftësitë e tij dhe për energjinë me të cilën ndoqi planet e veta ambicioze për t’u bërë sundimtar i vetëm i vendit duke përdorur gjithë mjetet, dhunën, dinakërinë, po aq sa edhe lidhjet familjare me feudalët e tjerë vendas. Më 1784 fitoi gradën e Pashait si komandant ushtarak pranë Valiut të Rumelisë në Sofje. Po këtë vit siguroi me luftë qeverisjen e sanxhakut të Delvinës. Në vitet 1786-88 u bë derbend-pashë dhe qeveritar i Sanxhakut të Tërhallës. Në vitet 1798-1812, duke nënshtruar me luftë qeveritarët rivalë të sanxhaqeve fqinjë si dhe krahinat e vetëqeverisura të Sulit, Himarës, dhe duke shfrytëzuar situatën e vështirë të Perandorisë Osmane në periudhën e luftërave të Napoleon Bonapartit, Ali Pashë Tepelena arriti të zgjeronte e përforconte pushtetin e vet duke përfshirë trevat që nga gjiri i Prevezës deri afërsisht në lumin Shkumbin. Prej vitit 1812 kishte marrë nën kontroll pjesën më të madhe të trojeve të Ballkanit, krahinat greke, shqiptare e bullgare. Nuk e kishte njohur autoritetin e Sulltan Mahmutit të Dytë edhe kur ai kishte dërguar disa ekspedita për ta nënshkruar por nuk kishte arritur. Ali Pashë Tepelena kishte nënshtruar grekët, suliotët, arvanitasit, por edhe i kishte ndihmuar në luftën e tyre për çlirim. Ideja e tij për Mbretërinë e Epirit ku do të përfshiheshin të gjitha vilajetet shqiptare, arvanitase e greke, nuk u përkrah nga masat shqiptare, meqë ende nuk ishte konsoliduar vetëdija kombëtare. Për 45 vjet të sundimit të tij ishte kthyer në legjendë të gjallë dhe konsiderohej si rivali kryesor i Sulltan Mahmudit dhe Sulltan i Ballkanit. Kishte përballuar sulmet e Napoleon Bonapartës, të Sulltan Mahmudit, të Carit rus dhe kryengritjet e brendshme. Kalanë e Janinës e kishte kthyer në fuqi baroti dhe kishte mposhtur me sukses çdo sulm nga çdo anë, deri në vitin 1822, kur Perandoria i kishte premtuar t’ ia falte kokën, por sapo e kishte lëshuar Janinën ishte vrarë në pabesi, i tradhtuar nga arvanitasit, suliotët grekët e shqiptarët. Për Ali Pashë Tepelenën janë shkruar dhjetëra romane, qindra shkrime e monografi në shumë gjuhë të botës.
A1info