KALENDARI HISTORIK
Më 5 janar të vitit 1888 u lind, Anton Harapi, frat françeskan, mësues, mendimtar, shkrimtar dhe politikan shqiptar. Leu në Shirokë të Shkodës. Qysh në moshë të re bashkë me të vëllanë, Markun, qenë të thirrur nga rruga e kishës. Hyri në kolegjin e jezuitëve ku kreu mësimet fillore. Rezultatet e larta në shkollë i mundësuan të vijojë klasat e larta në Salzburg, e mandej në Shvaz të Tirolit të Austrisë. Studimet teologjike i kreu në Romë. Më 1910 kthehet në atdhe dhe shugurohet meshtar duke përmbushur kushtet e fundit të Urdhrit Françeskan. Gjatë tetorit të vitit 1912 deri në prill 1913 kur Shkodra qe e rrethuar nga trupat malaziase e serbe, i përkushtohet shërbesave fetare dhe njerëzore në kishën “Zoja Rruzare” në Arrën e Madhe në Shkodër, ku ishte edhe Kuvendi Françeskan. Gjatë kohës së takimeve që i paraprinë pavarësisë së Shqipërisë kërkohet nga nëpunësit e Ministrisë së Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze si përkthyes gjatë bisedimeve që u zhvilluan mes kontit Berthold dhe Ismail Kemal bej Vlorës, në mungesë morën, David Pepën. Më 6 ose 8 qershor 1945 arrestohet kur ishte duke u lutur, ngase qe diktuar prej objekteve që patën pa grupi i kontrollit. Me vendim të datës 19 shkurt 1946 të Gjykatës speciale në Tiranë, Antoni Harapi është shpallur si kriminel lufte dhe armik i popullit, sabotator i pushtetit. U dënua me pushkatim dhe u ekzekutua. Nuk dihet vendi ku iu varros trupi.
A1info