Ali Ahmeti uron Kosovën për zgjedhjet dhe përgëzon Vetëvendosjen për fitoren
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka uruar qytetarët e Republikës së Kosovës për procesin zgjedhor, duke vlerësuar se zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të lirë, të ndershme dhe plotësisht demokratike, në përputhje me standardet evropiane.
Në reagimin e tij, Ahmeti theksoi se qytetarët e Kosovës dëshmuan maturi dhe pjekuri të lartë demokratike, duke konfirmuar forcën e institucioneve dhe vullnetin e lirë të popullit.
Ai përgëzoi Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti për fitoren e arritur, duke nënvizuar se Kosova ka nevojë për stabilitet, zhvillim dhe një vizion të qartë shtetëror në shërbim të qytetarëve të saj.
“Si dikush që ka dhënë kontribut për lirinë e Kosovës dhe që beson thellë në të ardhmen e saj, dëshiroj që Kosova të ecë përpara me hapa të sigurt, duke forcuar aleancën strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian,” u shpreh Ahmeti.
Sipas tij, kjo rrugë garanton paqe, zhvillim dhe një të ardhme të sigurt për brezat e ardhshëm, duke përmbyllur mesazhin me theksin se një Kosovë e lirë, e fortë dhe e zhvilluar mbetet ëndrra e përbashkët.