Arbër Pajaziti: Zgjedhjet në Kosovë, shembull i demokracisë funksionale në rajon
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka vlerësuar zgjedhjet e fundit në Kosovë si një dëshmi të qartë të funksionimit të demokracisë dhe të organizimit institucional.
Sipas Pajazitit, Kosova edhe në këtë proces zgjedhor ka konfirmuar rolin e saj si lidere në rajon për nga mënyra e organizimit dhe menaxhimit të zgjedhjeve, duke prodhuar një fitues të qartë dhe të pakontestueshëm. Ai ka uruar fituesin e zgjedhjeve, si dhe të gjitha subjektet e tjera pjesëmarrëse në garë, pavarësisht rezultateve të arritura.
Kryetari i Bujanocit ka theksuar se vetëqeverisja lokale mbetet e përkushtuar për bashkëpunim institucional me të gjithë faktorët vendimmarrës në Kosovë, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si të domosdoshëm për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në fund, Pajaziti ka uruar edhe një herë popullin e Kosovës, institucionet dhe të gjitha subjektet pjesëmarrëse për zhvillimin e suksesshëm të zgjedhjeve.