Shaip Kamberi reagon ashpër ndaj Trupit Koordinues për mirënjohjen dhënë Aleksandar Vulinit
Deputeti shqiptar Shaip Kamberi ka reaguar ashpër ndaj Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, pas dhënies së një “zahvalnice” (mirënjohjeje) për Aleksandar Vulinin, duke e cilësuar këtë akt si politikisht dhe moralisht të papranueshëm.
Në reagimin e tij publik, Kamberi thekson se një veprim i tillë bie ndesh me përvojën reale të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe me faktet e dokumentuara ndër vite lidhur me rolin dhe politikbërjen e Vulinit.

Sipas Kamberit, Aleksandar Vulin, gjatë ushtrimit të funksioneve të tij shtetërore, ka qenë pjesë e një politike militante, antishqiptare dhe antiperëndimore, e cila ka prodhuar, siç shprehet ai, gjuhë fyese ndaj shqiptarëve, promovimin e konceptit ideologjik “srpski svet”, pasivizimin masiv të adresave të shqiptarëve, si dhe mohimin e të drejtës për kujtesë historike.
Ai përmend gjithashtu ndalimin e ndërtimit të Kullës së Komandant Lleshit dhe e cilëson orientimin politik të Vulinit si larg vlerave evropiane dhe standardeve demokratike.
Kamberi thekson se këto nuk janë interpretime subjektive, por realitete të përjetuara nga qytetarët shqiptarë të Luginës dhe të reflektuara, sipas tij, edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat e kanë futur Vulinin në listën e zezë.
Në këtë kontekst, deputeti shqiptar vlerëson se dhënia e mirënjohjes për Vulinin përbën vazhdimësi të relativizimit të diskriminimit dhe, siç shprehet ai, fyerje të dinjitetit të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Ai e lidh këtë veprim edhe me deklaratën e fundit të kryetarit të Trupit Koordinues, i cili e ka cilësuar UÇPMB-në si organizatë terroriste, duke e konsideruar këtë si pjesë të një politike të rishkrimit të historisë dhe të glorifikimit të kriminelëve të dënuar për krime lufte.
Sipas Kamberit, këto veprime synojnë të nxisin tensione ndëretnike në komunat me shumicë shqiptare, si Presheva dhe Bujanoci, në një kohë kur, siç thotë ai, aktorë të caktuar politikë janë përballë një krize të thellë politike si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Në përfundim, Kamberi thekson se zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës do të vazhdojë të dëgjohet “qartë, me dinjitet dhe pa kompromis me të vërtetën”, duke shtuar se, sipas tij, dekoratat dhe mirënjohjet e tilla nuk do ta ndalin këtë zë.