KALENDARI HISTORIK
Më 22 dhjetor të vitit 1947 vdiq Tefta Tashko-Koço. Ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashri i Përmetit, Thanas Tashko, i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt. Me vdekjen e Thanas Tashkos më 1915, familja e tij kthehet në Korçë në vitin 1921. Në Korçë, Tefta njihej si këngëtare dhe data 26 qershor të viti 1926 mbahet koncerti i saj i parë në publik. Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato me sukses në Konservatorin Superior të Parisit. Në vitin 1930, bën incizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”- në Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të polifonisë himariote, Neço Muko. Me përfundimin e studimeve, kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali. Ndër to po përmend: “Zare trëndafile”, Të dua, moj goc’ e vogël”, Bilbil çapkëni”, Qante lulja lulen. Tefta Tashko së bashku me këngëtaren tjetër të shquar Marie Kraja kanë marrë pjesë në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence të Italisë më 30 Maj të 1939 krahas këngëtarëve dhe muziktarëve të shquar popullorë të atyre viteve si Adem Mani, Xhevat Boriçi, Kolë Vjerdha, Taip Kraja, Karlo Pali e të tjerë. Vdiq në moshën 37-vjeçare. Tefta Tashko ka qenë e martuar me Kristaq Koçon dhe pati një djalë me të, dirigjenitin e njohur Eno Koço, Arstist i Merituar.
A1info