Kryetari i Bujanocit, Arber Pajaziti, zhvillon takim me shefin e Seksionit Politik të BE-së në Serbi
Bujanoc, 11 Dhjetor 2025 – Kryetari i komunës së Bujanocit, Arber Pajaziti, pati një takim të frytshëm me shefin e Seksionit Politik pranë Misionit të Bashkimit Evropian në Serbi, z. Črtomir Peter Fishinger.
Gjatë takimit, kryetari Pajaziti falënderoi BE-në për mbështetjen e vazhdueshme për komunën, përmes projekteve konkrete që kanë përmirësuar jetën e qytetarëve. Ai dhe z. Fishinger diskutuan mundësitë që ofrojnë fondet IPA dhe programet tjera për zhvillim lokal, duke nënvizuar rëndësinë e stabilitetit politik dhe bashkëpunimit të hapur për realizimin e tyre.
Kryetari Pajaziti theksoi gjithashtu synimin e komunës për integrim në BE, duke vënë theksin tek përmirësimi i pozitës së pakicave dhe respektimi i standardeve evropiane. Në bisedë u trajtuan edhe sfidat ekzistuese, si pasivizimi i adresave dhe çështja e njohjes së diplomave, dhe u kërkua që përfaqësitë e BE-së të angazhohen më shumë te institucionet qendrore për të nxitur zgjidhjen e këtyre çështjeve.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se respektimi i të drejtave të pakicave është thelbësor për një integrim të suksesshëm evropian dhe se rruga drejt BE-së kalon përmes garantimit të barazisë dhe standardeve për të gjithë qytetarët.
Takimi u vlerësua si i dobishëm dhe i hap rrugë për projekte të reja që do të sjellin përfitime konkrete për komunitetin e Bujanocit.