3 DHJETORI-DITA BOTËRORE E PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUAR!
Dita Botërore e Personave me Aftësi të Kufizuar (PAK), 3 Dhjetor, synon ndërgjegjësimin e shoqërisë civile, donatorëve, por edhe të përfituesve për t’u bërë pjesë dhe për t’u përfshirë në proçesin e integrimit të personave me aftësi të kufizuar në jetën politike, sociale, ekonomike e kulturore. Kjo ditë është festuar në të gjithë botën që nga viti 1992 për të rritur ndërgjegjësimin publik, pranimin dhe mirëkuptimin e personave me aftësi të kufizuara.
Një revolucion të vërtetë në përkufizimin dhe në perceptimin e shëndetit dhe aftësisë së kufizuar e bëri OBSH në vitin 2001, me lançimin e “Klasifikimit Ndërkombëtar të Funksionimit, Aftësisë së Kufizuar dhe Shëndetit” (ICF).
Klasifikimi Ndërkombëtar i Funksionimit, Aftësisë së Kufizuar dhe Shëndetit (ICF) e përcakton aftësinë e kufizuar si një term ombrellë për dëmtime, kufizimet e aktivitetit dhe kufizimet e pjesëmarrjes. Dëmtimi është një problem i funksionimit të trupit apo strukturës së tij, (funksionet fiziologjike apo psikologjike apo pjesët anatomike të trupit).
Fakte Sipas Bankës Botërore dhe OBSH
Persona me aftësi të kufizuar ka në çdo vend të botës dhe në të gjitha nivelet e çdo shoqërie. Numri i personave me aftësi të kufizuar në botë është i madh dhe në rritje. Mbi një miliard njerëz, apo rreth 15% e popullsisë së botës, kanë një formë të aftësisë së kufizuar,nga të cilat mbi 200 milionë janë fëmijë.
110 milion deri 190 milion njerëz kanë vështirësi të konsiderueshme në funksionim Përqindja e personave me aftësisë të kufizuar është rritur ndër shkaqet e tjera, për shkak të plakjes së popullsisë dhe rritjes së sëmundjeve kronike.
A1info