Klasa 8/4 triumfon në finalen e basketbollit në Shkollën Fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi”, falë përkushtimit të arsimtarëve Veton Saqipi dhe Arbana Ahmeti
Në kuadër të “Javës së Kulturës” dhe për nder të festave të Nëntorit, Shkolla Fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” organizoi finalen e basketbollit mes klasave të tetë.
Pas disa ndeshjeve të forta dhe garave të ngushta gjatë ditëve të kaluara, sot në finale u shpall fituese klasa 8/4, e cila shfaqi lojë të organizuar, taktika të zgjuara dhe shumë shkathtësi në fushë. Fituesit u nderuan me kupë, medalje dhe mirënjohje për performancën e tyre të shkëlqyer.
Garat u organizuan me përkushtim nga arsimtari i Edukatës Fizike, Veton Saqipi, i cili monitoroi çdo detaj nga fillimi deri në përmbyllje, ndërsa në grumbullimin e pikëve ndihmoi edhe arsimtarja Arbana Ahmeti.
Atmosfera gjatë ndeshjes ishte e jashtëzakonshme: brohoritje, duartrokitje, daulle dhe tifozeri, që i dhanë ngjarjes një frymë të veçantë sportive dhe emocionuese.
Ky aktivitet, pjesë e festimeve të Nëntorit, nuk ishte vetëm një garë sportive, por edhe një mënyrë për të bashkuar nxënësit dhe mësuesit, duke shënuar një nga momentet më të rëndësishme të “Javës së Kulturës” në shkollën tonë.





