Presheva mirëpret edicionin jubilar të 20-të të “Ditëve të Komedisë Shqiptare”
Preshevë, 2025 – Shtëpia e Kulturës “Abdulla Krashnica”, në bashkëpunim me Teatrin e Qytetit të Preshevës, do të organizojë nga data 15 deri më 20 dhjetor 2025 festivalin tradicional “Ditët e Komedisë Shqiptare – Presheva 2025”, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Luginë.
Këtë vit festivali shënon jubileun e 20-të, duke kthyer vëmendjen e publikut dhe të botës teatrore drejt Preshevës, që tashmë është bërë pikëtakim i artistëve dhe trupave nga mbarë hapësira shqiptare.

Në këtë edicion marrin pjesë trupa teatrore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Teatri i Qytetit të Preshevës, të cilat do të prezantojnë shfaqje komedie me produksione të reja dhe interpretim profesional.
Festivali mban karakter garues, ndërsa çmimet do të ndahen nga juria profesionale e cila emërohet nga organizatori. Në fund të javës do të shpallen fituesit në kategori të ndryshme të teatrit, përfshirë aktorin më të mirë, regjinë, shfaqjen më të mirë dhe çmime të tjera speciale.
Organizatorët theksojnë se edicioni i 20-të përfaqëson një moment historik për kulturën dhe teatrin shqiptar në Preshevë, duke i dhënë qytetit një rol të rëndësishëm në skenën kulturore rajonale.
Festivali mbetet një traditë e çmuar që bashkon artin, komedinë dhe publikun, duke sjellë gjallëri kulturore në qytet në prag të fundvitit.
Presheva ju mirëpret!