PRESIDENTJA OSMANI NDEROHET ME ÇMIMIN E ASAMBLESË PARALMANTARE TË NATO-S !
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar sot me Çmimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, një nga mirënjohjet më të rëndësishme që i jepen personaliteteve që kontribuojnë në fuqizimin e grave dhe ndërtimin e paqes në nivel ndërkombëtar, njofton, syri tv., përcjell A1info.
Në fjalën e saj pas pranimit të këtij çmimi, presidentja Osmani theksoi se ky është një nder i veçantë, të cilin ajo ia dedikon popullit të Kosovës, e në mënyrë të veçantë grave kosovare, që kanë qenë shtylla e rezistencës dhe e përparimit të vendit.
“Këtë vlerësim të jashtëzakonshëm ia dedikoj popullit të Kosovës, e në veçanti grave të Kosovës, të cilat me guxim, dinjitet e përkushtim ndihmuan arritjen e lirisë dhe ndërtimin e paqes,” ka deklaruar Osmani.
Është çmim për të gjitha gratë që nuk u dorëzuan kurrë, për ato që iu prinë protestave, luftës e ndërtimit të institucioneve, për kampionet e të drejtave të njeriut, për nënat që ende presin më të dashurit e tyre të zhdukur dhunshëm gjatë luftës, për të mbijetuarat të cilat kurrë nuk rreshtën së punuari për kauzën e drejtësisë, si dhe për vajzat e reja që sot udhëheqin çdo fushë me besim e vizion,” shtoi ajo.
Osmani theksoi se paqja e Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën dhe guximin e grave, ndërsa demokracia është forcuar falë përkushtimit dhe qëndrueshmërisë së tyre në çdo hap të rrugëtimit drejt lirisë dhe barazisë.
Ky çmim i Asamblesë Parlamentare të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë nderon individët dhe institucionet që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në promovimin e rolit të grave në proceset paqeruajtëse dhe demokratike.