FEDERATA SERBE E FUTBOLLIT KA MARRË VENDIM QË MOS TË SHES BILETA PËR NDESHJEN SERBI-SHQIPËRI
Federata Serbe e Futbollit ka marrë një vendim drastik në prag të ndeshjes së 11 tetorit mes Serbisë dhe Shqipërisë, që do të zhvillohet në stadiumin “Dubočica” të Leskovacit, njofton, Portali Joq Albania, përcjell, A1info.
Për shkak të vlerësimit si një ndeshje me rrezik të lartë sigurie, FSS ka vendosur që nuk do të shesë asnjë biletë për publikun. Në një deklaratë zyrtare, Federata shpjegon se vendimi është marrë në përputhje me rekomandimet e FIFA-s, udhëzimet e Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe konsultimet me UEFA-n. Një element kyç që ka ndikuar është edhe përvoja e vitit 2014, kur përplasjet në stadiumin e Beogradit ndërprenë ndeshjen mes dy skuadrave, duke sjellë dënime të rënda për kombëtaren serbe dhe eliminimin e saj nga Euro 2016. “Për duelin e ardhshëm me Shqipërinë nuk do të ketë bileta në shitje. Pjesëmarrja do të garantohet vetëm përmes shpërndarjes së kontrolluar te klubet e futbollit, shkollat sportive, sponsorët, përfaqësuesit e medias, si dhe grupet mjekësore e organizative. Të gjitha biletat do të jenë të personalizuara dhe hyrja në stadium do të bëhet vetëm me dokument identifikimi dhe kontrolle të rrepta sigurie,” thuhet në njoftimin e FSS-së. Sipas këtij vendimi, në “Dubočica Stadium” pritet të jenë rreth 6 mijë të pranishëm, por vetëm përmes ftesave të federatës, pa tifozë të huaj dhe pa shitje të hapur të biletave. FIFA do të dërgojë dy oficerë sigurie në Leskovac për të mbikëqyrur ndeshjen, ndërkohë që është konfirmuar se tifozët shqiptarë nuk do të lejohen në tribuna. Federata Serbe e Futbollit u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve që të tregojnë sjellje sportive dhe të shmangin incidentet, në mënyrë që skuadra e tyre të ketë kushtet e duhura për të zhvilluar ndeshjen.