Visar Memeti reagon për vizitën e delegacionit të Ardita Sinanit në Kroaci: “Shëtitje luksoze me para të qytetarëve!
Preshevë, 26 Shtator 2025 –
Kryetari i Alternativës për Ndryshim (ApN), Visar Memeti, ka reaguar pas vizitës së fundit të një delegacioni shtatë anëtarësh nga Komuna e Preshevës në Međimurje, një qytet i vogël në veri të Kroacisë, të cilin e përshkruan si “një tjetër sukses propagandistik të Ardita Sinanit në emër të binjakëzimeve”.
Sipas Memetit, kjo është vazhdimësi e një politike simbolike dhe jo-substantive, duke përmendur se pas binjakëzimeve me Çairin dhe Likovën, tashmë kemi edhe një binjakëzim me Megjimurjen, një qark i njohur më shumë për banjat termike dhe vreshtarinë sesa për ndonjë interes real për qytetarët e Preshevës.
“Në delegacionin tonë, ajo që bie në sy është mungesa e Ragmi Mustafës, me të cilin jemi mësuar t’i shohim gjithmonë bashkë Arditën. Por, edhe për këtë është ‘kujdesur’ vetë Ragmija duke dërguar dhëndrin e tij si pjesë të delegacionit,” – shkruan Memeti.
Ai ironizon faktin se delegacioni ka pasur 7 anëtarë, duke theksuar:
“As delegacioni i Vjosa Osmanit në OKB nuk është më i madh se ky i Komunës së Preshevës në Međimurje.”
Sipas Memetit, qëllimet e deklaruara të udhëtimit – si ngritja e kapaciteteve të administratës komunale, sigurimi i bursave dhe zhvillimi i turizmit – janë thjesht mbulesë për shëtitje luksoze të pushtetarëve me para publike.
Në fund të reagimit, Memeti njofton se në cilësinë e këshilltarit komunal, do të kërkojë zyrtarisht:
Me çfarë ftese ka udhëtuar ky delegacion në Kroaci? Kush i ka mbuluar shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit?
“Qytetarët kanë të drejtë të dinë se ku shkojnë paratë e tyre, kush udhëton në emër të komunës dhe çfarë përfitimesh konkrete kthehen nga këto vizita.” – përfundon Visar Memeti.