Kur shqiptarët humbin gjykata e adresa, deputeti merret me tabela
Shaip Kamberi, për tre mandate të plota, asnjëherë nuk ka guxuar të kërkojë drejtëpërdrejt në Kuvendin e Republikës së Serbisë për çështje madhore të shqiptarëve të Luginës. Sot ai kërkon tabela për Preshevën një temë e dorës së dytë, pa asnjë rëndësi për jetën reale të qytetarëve.
Ndërkohë ka heshtur për plagët më të rënda: pasivizimin e adresave, që ka zhdukur mijëra shqiptarë nga regjistrat civilë, sidomos në Medvegjë.
Ky “deputet popullor”, që u mburr me letra për krijimin e një fondi, sot shfaq “aftësi” vetëm për të siguruar tabela makinash për Preshevën. Dhe e gjithë kjo vetëm përmes shkresave të ftohta. Në tri mandate të plota, asnjëherë nuk ka guxuar të zhvillojë debat serioz me ministrat apo kolegët e tij në Kuvend.
Shaip Kamberi nuk ka kërkuar kthimin e Gjykatës Themelore në Preshevë, që na takon me ligj dhe na u mor me politikë të qëllimshme e me bojkotin e tij dhe të Ragmi Mustafës. Për tri mandate me radhë nuk ka hapur gojën për kufirin Miratoc–Llojan. Nuk ka ngritur asnjë debat për njohjen e diplomave, edhe pse kjo ka bazë ligjore në disa raste të caktaur.
Ai kurrë nuk ka luftuar që të organizohet provimi i licencës për mësimdhënësit shqiptarë, që Ministria e Arsimit e injoron prej vitesh, e për të cilin as Këshilli Kombëtar nuk bën asgjë dhe nuk bën.
Po ashtu, nuk ka kërkuar as provimin e gjyqësisë për juristët e rinj.
Në historinë e tij si deputet i PVD-së mbahet mend vetëm kur Riza Halimi shkëmbente letra me Ivica Dačić-in fshehurazi dorë më dorë.
Mbahet mend për takimet e Milan Markoviqit me Ragmi Mustafën në komunë dhe me Riza Haliun në trotuare.
Mbahet mend për votën e tij të 126, që mbajti në këmbë qeverinë Tadiq–Dačić në vitin 2008.
Mbahet mend edhe sot për votimin e qeverisë së Vučić-it, që ai e quan regjim, por që vetë e ka ndihmuar ta mbajë në pushtet.
Në fund, Shaip Kamberi mbahet mend vetëm për retorikë patriotike folklorike, letra të pafundme dhe mungesë totale të guximit dhe debatit thelbësor politik në kuvend. Po ka lexuar çdo herë.
Kjo është “aftësia” e vetme e deputetit të Luginës.
Nga Kujtim Sadriu