Ku mbeten premtimet “Me mendje e zemër” dhe “Ne dëshmuam”?
Shkruan: Arben Mehmeti
Komuna e Preshevës, një komunë e vogël në jug të Serbisë, shpesh përfshihet nga monotonia e përditshme. Por çdo verë, këtë monotoni e prishin zhurmat e eskavatorëve dhe makinerive që hapin rrugë për asfaltim.
Gjatë fushatës zgjedhore, partitë politike premtuan zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale, hapje të vendeve të punës, fabrika, arsim cilësor, shëndetësi me standarde evropiane, njohje të diplomave, renovim të shkollave e të shtëpisë së shëndetit, si dhe shumë projekte të tjera.
Por, me ardhjen në pushtet të Partisë për Veprim Demokratik të Ardita Sinanit – me moton “Me mendje e zemër” – dhe Partisë Demokratike Shqiptare të Ragmi Mustafës – me moton “Ne dëshmuam” – fokusi i pushtetit lokal është përqendruar pothuajse tërësisht tek asfaltimi i rrugëve.

Në Luginë çdo ditë shtrihen nga 100 deri në 300 metra asfalt, ndërsa në çdo shtyllë elektrike vendosen trafot e reja. Për këto “suksese”, zyrtarët komunalë nuk ngurrojnë të mburren në media dhe rrjete sociale, edhe pse qyteti përballet me probleme shumë më të mëdha.
Qendra e qytetit e harruar
Investimet në periferi kanë rëndësinë e tyre, por qendra e qytetit është lënë pas dore. Trotuaret e amortizuara, mungesa e hapësirave publike dhe grumbullimi i mbeturinave e dëmtojnë drejtpërdrejt imazhin e Preshevës dhe sigurinë e qytetarëve.
Ndërkohë, qytetarët përballen me papunësi, krizë ekonomike, ikjen masive të të rinjve, pasivizimin e adresave dhe mosnjohjen e diplomave. Në rrugë, qentë endacakë përbëjnë një tjetër problem serioz, për të cilin askush nuk merr përgjegjësi.
Premtimet për diasporën
Një kapitull i veçantë i fushatës ishin premtimet ndaj mërgatës shqiptare. U premtuan lehtësira administrative, hapja e një zyre të Diasporës me buxhet të veçantë, përfshirja e kuadrove të mërgatës në administratë, si dhe subvencione për kthimin e tyre dhe hapjen e bizneseve në vendlindje.
Por, pas gati një viti e gjysmë qeverisjeje, këto zotime kanë mbetur vetëm në letër. Pyetja që shtrohet është: a është kthyer ndonjë mërgimtar përmes masave të premtuara, apo përkundrazi, është rritur numri i atyre që e kanë lëshuar vendin?
Mërgata – kontribut i nënvlerësuar
Mërgata shqiptare ka dhënë shumë për Preshevën: remitanca, investime dhe mbështetje të vazhdueshme. Prandaj premtimet ndaj saj nuk guxojnë të mbeten të pambajtura. Nëse politika lokale vazhdon të merret vetëm me asfalt, ndërkohë që qytetarët e rinia largohen, atëherë pyetja mbetet: a do të ketë kush të ecë mbi këto rrugë të reja?