Shkolla Fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” në Preshevë mirëpret nxënësit për vitin e ri shkollor 2025/26
Preshevë, 30 gusht 2025 – Shkolla Fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” në Preshevë ka uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2025/26.
Në urimin e bërë publik nga drejtoria e shkollës thuhet:
“Të dashur nxënës, të respektuar mësimdhënës dhe të nderuar prindër: Gëzuar fillimviti i ri shkollor 2025/26. Duke iu uruar një fillimvit të suksesshëm dhe të përzemërt, urojmë që të gjithë së bashku të punojmë për të mirën e nxënësve tanë dhe fëmijëve tuaj, për të pasur një vit shkollor sa më produktiv, përmbajtësor e cilësor.”
Një urim i veçantë është drejtuar nxënësve të klasës së parë, të cilët këtë vit nisin për herë të parë rrugëtimin shkollor. Sipas njoftimit, ata do të paraqiten më 1 shtator, në orën 13:00, në hyrje të shkollës, ku do të thirren me emër e mbiemër dhe do të shoqërohen nga mësueset përkatëse drejt klasave të tyre.
Orari i mësimit mbetet i pandryshuar: cikli i lartë (klasat V–VIII) do të zhvillohet në ndërrimin e paradites, ndërsa cikli i ulët (klasat II–IV) në ndërrimin e pasdites.
“Shkolla është një vlerë që do t’iu vlejë për të gjithë jetën. Përpiquni të punoni fort, të angazhoheni dhe të arrini suksese,” – theksohet në urim.
Drejtori i përkohshëm i shkollës, u.d. Bardhyl Bajrami, uroi gjithë nxënësit, stafin dhe prindërit për një vit të mbarë shkollor 2025/26.
A1 info