VV E DËRGON NË GJYKATËN SUPREME VENDIMIN E PZPAP-SË PËR CERTIFIKIMIN E LISTËS SERBE
Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën Supreme vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili obligoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, njofton, Rruga press, përcjell A1info..
Në ankesën e saj, VV thekson se anëtarët e KQZ-së vepruan në përputhje me ligjin kur votuan kundër certifikimit, duke u bazuar në nenin 63 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe në nenin 17 që u jep diskrecion të plotë anëtarëve të KQZ-së për të miratuar apo refuzuar certifikimin e një subjekti politik.
Vendimi i PZAP-së dhe reagimet
PZAP kishte konstatuar se KQZ nuk e kishte bazuar vendimin e saj në mënyrë të duhur dhe se nuk ishte dëshmuar se kandidatët e Listës Serbe bien ndesh me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton kriteret për të drejtën për t’u zgjedhur. Për këtë arsye, ky organ kishte anuluar vendimin e KQZ-së të datës 21 gusht.
Deputeti i VV-së, Hekuran Murati, e ka quajtur vendimin e PZAP-së “veprim skandaloz”, ndërsa deputetja Albulena Haxhiu kishte paralajmëruar qysh më parë se çështja do të dërgohej në Supreme.