Shaip Kamberi në 35-vjetorin e PVD-së: “Një histori qëndrese, një fillim i ri
Preshevë, 19 gusht 2025 – Partia për Veprim Demokratik (PVD) ka shënuar sot 35-vjetorin e themelimit. Kryetari i saj, Shaip Kamberi, tha se ky jubile është dëshmi e rrugës së gjatë e të vështirë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“PVD lindi si përgjigje ndaj shtypjes e mohimit të të drejtave kombëtare dhe që nga dita e parë u bë zë i fuqishëm i shqiptarëve”, theksoi Kamberi.
Ai kujtoi përballjen me regjimin e Millosheviqit dhe qeveritë diskriminuese të Serbisë, duke theksuar se PVD mbetet faktor kyç në politikën lokale, parlament dhe Këshillin Kombëtar.
Në fjalën e tij, Kamberi paralajmëroi sfida të reja si fragmentimi politik, emigrimi i të rinjve dhe diskriminimi i vazhdueshëm në Serbi, por u zotua për unitet, bashkëpunim me Kosovën e Shqipërinë dhe mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve.
“35 vjet janë histori e madhe, por edhe një fillim i ri. PVD do të vazhdojë të jetë në ballë të kësaj rruge”, tha Kamberi.
A1 info