Punëtorët e administratës komunale në Preshevë marrin pauza më të gjata se sa parashikohet – qytetarët ankohen për shërbime të ngadalta
Redaksia e A1 Info ka vëzhguar nga afër sot funksionimin e administratës komunale në Preshevë dhe ka konstatuar parregullsi serioze në respektimin e orarit të punës nga ana e punëtorëve komunalë.
Sipas rregullave, punëtorët kanë të drejtë në një pushim gjysmë ore, nga ora 09:30 deri në ora 10:00. Mirëpo, vëzhgimi i sotëm ka treguar se shumica e tyre kanë lëshuar zyrat dhe objektin që në orën 09:00, ndërsa një pjesë e vogël është kthyer vetëm pas orës 10:00. Kjo nënkupton që pauza është zgjatur në një orë të plotë, duke lënë qytetarët pa shërbim në atë kohë.

Për korrektësi, një numër i vogël i punëtorëve janë parë në vendet e tyre të punës rreth orës 09:20, por shumica e administratës ishte jashtë objektit.
Ky fenomen, sipas vëzhgimit, dëshmon për një sistem të çorganizuar, ku shërbimi ndaj qytetarëve mbetet në plan të dytë. Qytetarët shpesh detyrohen të presin gjatë ose madje të ndajnë një ditë të tërë për të kryer obligime të thjeshta administrative.
Kjo është mënyrë diskriminuese me të cilën pushteti aktual po i trajton qytetarët, duke e cilësuar këtë sjellje si shkelje të respektit dhe përgjegjësisë publike.
A1 info