Shefi i “Terraform Labs” pranon fajësinë për mashtrim miliardësh
Shefi i platformës “Terraform Labs”, Do Kwon, ka pranuar fajësinë për dy akuza të mashtrimit financiar, pas dështimit të dy kriptovalutave të operuara nga kompania në vitin 2022.
Kwon, shtetas i Koresë së Jugut, akuzohet se ka luajtur rol kyç në krizën e kriptovalutave që u kushtoi investitorëve mbi 40 miliardë dollarë. Platforma e tij operonte me dy monedha digjitale – “Terra USD” dhe “Luna” – të cilat humbën vlerën në mënyrë dramatike.
Autoritetet amerikane e kanë cilësuar Kwonin si përgjegjës për orkestrimin e një mashtrimi të aseteve kriptografike me vlera shumë miliardë dollarëshe.
Si pjesë e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, prokurorët kanë rënë dakord të mos kërkojnë një dënim më të madh se 12 vjet burg.