KALENDARI HISTORIK
Në 6 gusht të vitit 1993 vdiq poeti, publicisti dhe akademiku, Esad Mekuli. U lind më 17 dhjetor të vitit 1916, në Plavë. Ka qenë kryetari i parë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Familja e tij, në Plavë ishin me prejardhje nga Nokshiqi. I ati i Esadit ishte hoxhë. Mësimet fillore i mori në Plavë, në gjuhën serbe. Shkollimin e mesëm e filloi në Pejë, ku i përfundoi studimet më 1936. Më pas u regjistrua në Fakultetin e Veterinarisë në Universitetin e Beogradit. Atje ra në kontakt me idetë marksiste dhe më pas mori pjesë në lëvizjen partizane të Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1949 themeloi revistën letrare “Jeta e re”, kryeredaktor i së cilës ishte deri më 1971. Kreu doktoraturën në Beograd më 1959. Si student përparimtar ai u burgos në vitin 1940 dhe qëndroi në burgun famëkeq “Gllavinjaqa”, prej nga u amnistua me 2 prill të vitit 1941. Ka qëndruar i burgosur në Kullën e Sheremetit. Pas lirimit, ai u gjend herë në Zagreb, herë në Tiranë, madje edhe në Itali. Esad Mekuli ishte kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, nismëtar, themelues dhe kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Vdiq në Prishtinë me 6 gusht 1993.
A1info