Këshillat Kombëtare të Shqiptarëve kërkojnë emision të përjavshëm në RTK dhe RTSH
Prishtinë/Tiranë, 31 Korrik 2025 – Sot, Këshilli Kombëtar Shqiptar në një iniciativë të përbashkët me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, ka dorëzuar zyrtarisht pranë Radio Televizionit të Kosovës (RTK) dhe Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) një kërkesë për krijimin dhe transmetimin e një emisioni të përjavshëm televiziv, i cili do t’i kushtohet realitetit, sfidave dhe zhvillimeve të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Mal të Zi dhe rajone të tjera me popullatë shqiptare.
Kjo nismë synon të adresojë mungesën e dukshmërisë mediatike të shqiptarëve në këto treva, si dhe të forcojë lidhjen kulturore dhe kombëtare me Shqipërinë dhe Kosovën. Sipas përfaqësuesve të këtyre këshillave, nevoja për një hapësirë publike të dedikuar është thelbësore për adresimin e çështjeve të ndjeshme si gjuha shqipe, arsimi, përfaqësimi institucional dhe identiteti kombëtar.
„Është koha që RTK dhe RTSH të ndërmarrin një hap konkret në përmbushjen e misionit të tyre publik, duke i dhënë zë shqiptarëve jashtë kufijve të shtetit amë,“ thuhet në deklaratën e përbashkët të dorëzuar pranë dy transmetuesve publikë.
Këshillat Kombëtare shprehen të bindur se RTK dhe RTSH do të shqyrtojnë me seriozitet këtë kërkesë, si një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një hapësire të përbashkët informative dhe reflektuese për shqiptarët kudo që ndodhen në rajon.