Aleksandar Martinoviq në takim me Ambasadorin e Shqipërisë në Beograd – Diskutim për bashkëpunim dhe integrimin e shqiptarëve në jug të Serbisë
Kryetari i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Aleksandar Martinoviq, zhvilloi sot një takim me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Beograd, Sh.T. Bardhyl Canaj, ku u diskutua për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët në komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.
Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe të hapur, ku të dy palët theksuan rëndësinë e dialogut, integrimit dhe respektimit të të drejtave të pakicave.
Martinoviq foli për hapat që janë ndërmarrë në Bujanoc për krijimin e një pushteti multietnik, si dhe për bisedimet në Preshevë për përfshirjen e komunitetit serb në vetëqeverisjen lokale. Ai tha se këto janë procese që kërkojnë kohë, por po ecin në drejtimin e duhur.
Ambasadori Canaj konfirmoi vazhdimin e bashkëpunimit me Trupin Koordinues, si në Beograd ashtu edhe në terren, me fokus në çështje si pasivizimi, integrimi dhe përfshirja e të rinjve shqiptarë në arsim dhe shoqëri.
Burimi: Shërbimi i Trupit Koordinues, transmeton: A1 info