MEMLI KRASNIQI TAKON ZYRTARIN E DASH-IT!
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar sot me Brendan Hanrahan, Zyrtar i Lartë për Çështje Evropiane në Departamentin Amerikan të Shtetit. Takimi është zhvilluar në një kohë me rëndësi për proceset politike dhe integruese të Kosovës, njofton Shekulli.info, përcjell, A1info.
Portali në fjalë njofton për rrjedhen e takimit. Lidhur me këtë, Krasniqi tha se me Hanrahanin ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend dhe në rajon, duke theksuar nevojën për stabilitet të qëndrueshëm, ekonomi të fortë dhe zhvillim në çdo fushë.
“Ritheksova përkushtimin e Partisë Demokratike të Kosovës për bashkëpunim politik, funksionalitet institucional dhe zgjidhje që i shërbejnë qytetarëve. Kosova ka nevojë për stabilitet të qëndrueshëm, ekonomi të fortë dhe zhvillim në çdo fushë,” tha Krasniqi pas takimit.
Ai nënvizoi rëndësinë e mbështetjes amerikane për aspiratat euroatlantike të Kosovës, si dhe përpjekjet për integrim ndërkombëtar.
“Biseduam gjithashtu për domosdoshmërinë e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, si dhe për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor,” theksoi Krasniqi.
Në fund të deklaratës së tij, ai vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara mbeten aleati më i fuqishëm dhe më i rëndësishëm i Kosovës.
“Kosova është, dhe do të mbetet, një partnere e palëkundur e tyre,” përfundoi Kryetari i PDK-së.
Vlen të theksohet se ky zyrtar u takua edhe me përfaqësues nga LDK dhe nga AAK.