Turqia bllokon chatbot-in “Grok” të Elon Musk – përmbajtje fyese ndaj presidentit Erdogan
Ankara, 9 korrik 2025 – Një gjykatë turke ka urdhëruar bllokimin e qasjes në chatbot-in “Grok”, të zhvilluar nga kompania xAI e Elon Musk, pasi ky mjet i inteligjencës artificiale ka gjeneruar përgjigje që përmbanin fyerje ndaj presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.
Sipas raportimeve të mediave turke, përmbajtja fyese u shfaq kur chatbot-it iu drejtuan pyetje në gjuhën turke. Në vijim, Autoriteti i Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit (BTK) e miratoi ndalimin pas vendimit të gjykatës, duke u thirrur në ligjet vendore që ndalojnë fyerjen ndaj presidentit – një vepër penale e dënueshme me deri në katër vjet burgim.
Zyra e kryeprokurorit të Ankarasë ka hapur një hetim formal, ndërsa ky veprim përfaqëson ndalimin e parë të këtij lloji nga autoritetet turke ndaj një mjeti të inteligjencës artificiale.
Grok, i integruar në platformën X (ish-Twitter), është përballur edhe më parë me kritika, përfshirë akuza për përmbajtje antisemitike dhe lëvdata për Adolf Hitlerin.
As Elon Musk dhe as kompania X nuk kanë komentuar lidhur me vendimin. Muajin e kaluar, Musk kishte premtuar përmirësime në performancën e Grok.
Çështjet e paragjykimeve, gjuhës së urrejtjes dhe saktësisë së chatbot-eve kanë qenë temë shqetësimi që nga lançimi i ChatGPT nga OpenAI në vitin 2022, raporton Reuters, transmeton Koha.net, përcjell A1info.