Arbër Pajaziti takim me kryetarin e Trupit Koordinues: Fokus në projektet zhvillimore për Bujanocin
Bujanoc, 7 Korrik 2025 – Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Aleksandar Martinoviq, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.
Në qendër të diskutimeve ishin projektet aktuale dhe ato në fazë përgatitore që pritet të realizohen në Bujanoc me mbështetjen e Trupit Koordinues. Pajaziti theksoi rëndësinë e përfshirjes së komunës në konkurset e reja që pritet të shpallen nga ky institucion, duke synuar përfshirjen e sa më shumë projekteve zhvillimore në të mirë të qytetarëve.
“Diskutuam gjithashtu për planifikimet për vitin e ardhshëm, me synimin që të rritet buxheti i dedikuar për Trupin Koordinues, dhe kështu të sigurojmë më shumë investime për Bujanocin,” – tha Pajaziti pas takimit.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte koordinimi me ministritë përkatëse, për të mundësuar realizimin e projekteve të reja në fusha si infrastruktura, arsimi dhe ekonomia. Kryetari i Komunës kërkoi që nevojat reale të Bujanocit të prezantohen qartë në instancat shtetërore, për të garantuar mbështetje konkrete.
Në fund të takimit, Pajaziti shprehu mirënjohje për përkushtimin e Trupit Koordinues gjatë viteve dhe theksoi rëndësinë e një bashkëpunimi të sinqertë dhe afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm në komunat shqiptare në jug të Serbisë.
A1 info