Kryetari i KKSH-së kërkon anulimin e konkursit që diskriminon mediat në gjuhën shqipe
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Enkel Rexhepi, ka dorëzuar sot një kërkesë zyrtare për anulimin e konkursit për bashkëfinancimin e projekteve mediatike për vitin 2025, të shpallur nga Komuna e Bujanocit.
Rexhepi thekson se konkursi është shpallur pa marrë mendimin e KKSH-së, siç kërkohet në nenet 21 dhe 25 të Ligjit për Këshillat Kombëtare, edhe pse projektet përfshijnë përmbajtje në gjuhën shqipe.
Ai gjithashtu ka ngritur shqetësimin për mospërfshirjen e mediave lokale në gjuhën shqipe, ndërsa një pjesë e madhe e fondeve propozohet për media jashtë territorit të komunës, përfshirë ato nga Vranja.
“Kjo është e papranueshme në një komunë me shumicë shqiptare, ku mbi 62% e banorëve janë shqiptarë,” theksoi Rexhepi, duke kërkuar barazi, përfaqësim të drejtë dhe të drejtën për informim në gjuhën amtare.
KKSH paralajmëron se në rast të mosrespektimit të kësaj kërkese, do të ndërmarrë të gjitha veprimet institucionale e ligjore për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit shqiptar në Bujanoc.