Protestë masive e opozitës në Beograd: Përleshje me policinë dhe kërkesa për zgjedhje të parakohshme
BEOGRAD, 28 qershor 2025 — Rreth 36.000 persona janë mbledhur në Sheshin Slavija në Beograd gjatë një proteste të madhe të opozitës, raporton agjencia ruse TASS. Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë njoftoi se ngjarja nuk ishte paralajmëruar zyrtarisht, dhe se numri i pjesëmarrësve përputhet me protestat e mëparshme të të njëjtëve organizatorë të mbajtura më 22 dhjetor 2024, por është tre herë më i vogël në krahasim me protestën e 15 marsit të këtij viti.

Protesta masive nisi në orët e mbrëmjes dhe kryesisht u udhëhoq nga studentët, të cilët brohorisnin me sloganin „Pumpaj!“, përdornin bilbila, valëvitnin flamuj serbë dhe simbole të fakulteteve, transmeton TASS. Protestuesit kërkojnë shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme dhe largimin e kampit të përkrahësve të presidentit Aleksandar Vučić përpara Kuvendit të Serbisë.
Protesta është organizuar në mënyrë simbolike në Vidovdan, një nga festat më të rëndësishme shtetërore, dhe autoritetet kanë rritur masat e sigurisë në prag të tubimeve të paralajmëruara. Sipas raportimit të TASS, paraprakisht janë kryer edhe arrestime në kuadër të një aksioni më të gjerë me qëllim, siç thuhet nga autoritetet, parandalimin e përpjekjeve për destabilizimin e vendit.

Siç shkruan RIA Novosti, protestuesit bllokuan Sheshin Slavija dhe rrugët përreth në qendër të Beogradit. Në orët e vona ndodhën përleshje mes protestuesve dhe policisë, njofton korrespondenti i kësaj agjencie. Përleshjet shpërthyen pranë kordoneve të sigurisë në rrugët Kralja Milana dhe Kneza Miloša, pranë administratës presidenciale. Protestuesit hodhën gurë dhe kapsolla në drejtim të forcave të policisë, brohorisnin parulla fyese dhe agresive kundër pushtetit, madje u përpoqën të përdorin një kontejner mbeturinash për të sulmuar kordonin policor, raporton RIA Novosti.
Këto tensione vijnë në një kohë kur në opinionin publik flitet gjithnjë e më shumë për emigrimin masiv të të rinjve nga Serbia. Presidenti Aleksandar Vučić deklaroi më 21 qershor se vendi po kalon nëpër eksodin më të madh të të rinjve në historinë e tij, duke theksuar se numri i atyre që po largohen është madje më i madh sesa gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Sipas tij, mijëra studentë tashmë e kanë lënë Serbinë, duke emigruar në vende si Sllovenia, Kroacia, Austria dhe Hungaria, shkruan RBC. Kjo deklaratë vjen në kulmin e pasigurisë politike pas protestave dhe një situate të jashtëzakonshme në Novi Sad.
Protesta masive në Vidovdan tregon për thellimin e ndarjeve shoqërore në Serbi, me kërkesa gjithnjë e më të forta për ndryshime politike. Autoritetet vazhdojnë të theksojnë nevojën për stabilitet, ndërsa opozita dhe grupet studentore kërkojnë reforma dhe përgjegjësi.
Burimi: danas.rs, përcjell a1info