BEOGRADI VENDOS KUNDËR VULLNETIT TË PRINDËRVE DHE ARSIMTARËVE PËR FATIN E SHKOLLËS SHQIPE NË PRESHEVË (Dokument)
Preshevë, qershor 2025 – Përkundër një procesi të rregullt zgjedhor dhe një shumice të qartë votash nga ana e arsimtarëve dhe prindërve, autoritetet qendrore në Beograd kanë vendosur të anashkalojnë vullnetin e komunitetit në Preshevë për përbërjen e Këshillit të Shkollës Fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” – shkolla më e madhe shqipe në Serbi.
Meqenëse mandati aktual i Këshillit të Shkollës përfundon në shkurt të vitit 2025, organet e shkollës kanë ndjekur të gjitha procedurat ligjore për zgjedhjen e anëtarëve të rinj. Këshilli i mësimdhënësve formoi një komision treanëtarësh, i cili organizoi votimin dhe shpalli rezultatet si më poshtë:
• Xhezair Miftari.– 82 vota
• Teuta Limani. – 80 vota
• Merita Latifi. – 79 vota
• Besa Shaipi – 47 vota
• Fitim Nuhiu – 44 vota
• Ferije Sabedini – 34 vota
(6 fletëvotime të pavlefshme)
Tre kandidatët me më shumë vota – Miftari, Limani dhe Latifi – u propozuan si anëtarë të Këshillit nga radhët e të punësuarve në shkollë. Po ashtu, nga Këshilli i Prindërve u propozuan:
- Erxhan Abdiu i cili grumbulloi 40 vota.
- Flutura Bektashi grumbulloi 39 vota.
- Afrim Abdullahu grumbulloi 38 vota.
- Fatlum Mustafa, grumbulloi 21 vota.
- Hasan Hasani grumbulloi 22 vota dhe
- Aranita Dalipi grumbulloi 23 vota.
Megjithatë, Ministria e Arsimit në Beograd, me një vendim të nënshkruar nga sekretarja shtetërore Vesna Nedeljković, ka emëruar një Këshill të përkohshëm, duke mos pranuar rezultatet e zgjedhjeve të brendshme dhe përbërjen e propozuar nga vetë shkolla dhe prindërit.

Në arsyetimin zyrtar të vendimit thuhet:
“Duke qenë se mandati i Këshillit ka përfunduar dhe Kuvendi Komunal nuk ka emëruar një përbërje të re, janë krijuar kushtet që ministri të emërojë një organ të përkohshëm drejtues, në përputhje me Ligjin për Bazat e Sistemit të Arsimit dhe Edukimit.”
Vendimi është marrë mbi bazën e propozimeve të kryetares së Komunës, Ardita Sinani, dhe zëvendëskryetarit të Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, i cili, sipas burimeve lokale, ka emëruar në përbërje edhe dhëndrin e tij – gjë që ka ngritur shqetësime për konflikt interesi dhe ndikim politik.
Të emëruarit nga Ministria e Arsimit janë: personat humbës në votimin e këshillit të prindërve dhe arsimtarëve:
1. Hasan Hasani – profesor i gjeografisë
2. Aranita Dalipi – profesoreshë e gjuhës serbe
3. Shanip Mehmeti – ndërmarrës( nuk ka qenë fare i propozuar nga këshilli i prindërve)
4. Besa Shaipi – mësuese e ciklit të ulët
5. Fitim Nuhiu – profesor i gjuhës angleze
6. Fexhrije Sabedini – mësuese e ciklit të ulët
7. Armend Beqiri – profesor i psikologjisë
8. Ali Harullahu – profesor i matematikës
9. Adrian Aliu – jurist i diplomuar
Ky vendim ka shkaktuar reagime të forta në mesin e stafit pedagogjik dhe të prindërve, të cilët e konsiderojnë këtë ndërhyrje si shkelje të autonomisë së shkollës, përçmim të vullnetit të shumicës dhe precedent të rrezikshëm për vetëqeverisjen institucionale në arsimin shqip në Luginën e Preshevës.
Nuk mbahet mend që ndonjëherë në ndonjë shkollë në territorin e Serbisë të jetë marrë një vendim i tillë, në kundërshtim kaq të qartë me procesin demokratik të brendshëm.
Është shqetësues fakti se si është e mundur që udhëheqësit lokalë të kenë kaq shumë privilegje të garantuara nga vetë shteti serb, ndërkohë që në vazhdimësi ata kritikojnë, akuzojnë dhe shfaqen si të përjashtuar – por në fund përfitojnë nga të gjitha mekanizmat shtetërorë. Tha një mësimdhënës për A1 info
Për më tepër, në këtë listë të përbërjes së re nuk janë përfshirë përfaqësues të Aleancës Demokratike Shqiptare (ADSH), Lëvizjes për Reforma (LR) dhe Alternativës për Ndryshim (APN), gjë që ngre dyshime për selektivitet politik dhe përjashtim të qëllimshëm të zërave pozitar dhe opozitarë në vendimmarrje.
A1 info