KALENDARI HISTORIK
Më 26 qershor të vitit 1917 në fshatin Tupallë, komuna e Medvegjës, u lind Idriz Ajeti, albanolog i njohur, ligjërues, studiues, drejtor i Insitutit Albanologjik, Kryetari i Akademisë së shkencave dhe politikan. Idriz Ajeti ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm albanologjisë, duke ndjekur rrugën dhe metodën e Eqrem Çabejt dhe albanologëve të tjerë të njohur. Shkollën fillore e mbaroi në Banjën e Sijarinës më 1930, shkollimin e mesëm e ndoqi në Medresenë e Shkupit më 1938. Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit – në Degën e romanistikës. Studimet i mbaroi pas luftës, në vitin 1949 në Fakultetin e Filozofisë të Beogradit. Që atëherë e deri në vitin 1953, me cilësi profesori të gjuhës shqipe, punoi në Gjimnazin e Prishtinës. Në vitin 1958 mbrojti disertacionin e doktoratës me temën: Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë. Që nga viti 1960, dha mësim në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filozofisë të Prishtinës. Me nismën e tij, pas hapjes së Fakultetit të Prishtinës, u nxor revista shkencore Gjurmime albanologjike, në vitin 1962. Në vitin 1974 u organizua Seminari i Kulturës Shqiptare për albanologë të huaj. Gjatë vitit 1969-1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 ishte dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973-75 rektor i Universitetit të Prishtinës. Vdiq më 13 shkurt të vitit 2019, në moshën 102 vjeçare.
A1info