Një kënd i harruar për një kauzë të paharruar: Referendumi i 1 dhe 2 Marsit në Preshevë
Si një qytetar i shqetësuar
Panairi i Librit në Preshevë ishte një ngjarje e mrekullueshme, që mblodhi bashkë shqiptarë nga të gjitha trojet etnike. Ishte një rast i rrallë për të festuar kulturën, për të shkëmbyer dije dhe për të forcuar lidhjet mes nesh. Por, siç ndodh shpesh në viset tona, përtej dritave të ngjarjes, fshihet edhe një hije e dhimbshme: fshirja e qëllimshme e kujtesës sonë kolektive.

Në mandatin tim si udhëheqës institucional, pata kënaqësinë dhe përgjegjësinë historike të themeloj një kënd përkujtimor në Shtëpinë e Kulturës, kushtuar Referendumit me kryetar Ibrahim Kadriun, një figurë nga shumë organizatorë të Referendumit të 1 dhe 2 Marsit për bashkëngjitje territoriale me Kosovën. Ishte një hap i thjeshtë në dukje, por me rëndësi të madhe kombëtare dhe edukative.
Shtëpia e Kulturës është institucioni më i vizituar në Preshevë. Vizitohet jo vetëm nga shqiptarë nga rajoni e diaspora, por edhe nga diplomatë dhe miq të huaj. Kjo e bën atë vendin ideal për të ngritur simbole të identitetit dhe historisë sonë. Këndi i quajtur “Këndi i Ibrahim Kadriut” nuk u ngrit për të lavdëruar një individ, por për të nderuar një ideal: bashkimin kombëtar, vullnetin demokratik të shqiptarëve dhe sakrificën e atyre që vuajtën burgime dhe internime për këtë qëllim.
Por çfarë ndodhi më pas? Përmes një iniciative me të gjitha mekanizmat, Shkëlzen Limani ku mori në shoqërim Shkodran Ismailin dhe Fitim Nuhiun, ku Shkëlzeni i shtyrë nga egocentrizmi dhe hipokrizia personale bëri çmos për ta zhdukur këtë kënd dhe për ta fshirë emrin e Referendumit nga historia publike e Preshevës. Dhe e arriti këtë qëllim pa ndonjë justifikim, duke dëmtuar edukimin për brezat e ardhshëm.
Kjo nuk është një padrejtësi ndaj Ibrahim Kadriut. Është një padrejtësi ndaj Grupit “Bajram Curri”. Është një akt i qartë fshirjeje simbolike ndaj një prej kapitujve më të rëndësishëm të vetëdijes tonë kombëtare në Luginë të Preshevës.
Sot, të rinjtë që vizitojnë Shtëpinë e Kulturës qëndrojnë para një hapësire të zbrazët. Nuk dinë çfarë është Referendumi i Marsit. Nuk e dinë kush e organizoi, pse u bë dhe kush u sakrifikua. Dhe kjo është tragjedia më e madhe sot në Panairin e Librit.
Edhe pse MUP-i i Serbisë nuk arriti ta shuajë Referendumin në kohën e vet, nuk arriti ta ndalojë këndin ku atë ditë u vërsul. Një shqiptar e arriti ta shuajë simbolikisht në ditët e sotme. Ky është dështim i Shkëlzenit moral dhe kombëtar.
Drejtori aktual i Shtëpisë së Kulturës, z. Naser Nuredini, ka kundërshtuar këtë veprim dhe ka shprehur vlerësimin e tij për rëndësinë e këndit përkujtimor. Por edhe zëri i tij është heshtur në një atmosferë ku shpesh nuk sundon meritokracia, por mllefi dhe frika nga e kaluara.
Ironikisht, librat që ndodheshin në atë kënd edhe pse nuk ishin të autorësisë së Kadriut ishin pjesë e trashëgimisë që ai ruante në shtëpinë e tij. Simbolika e tyre ishte e qartë: ruajtja e kujtesës jo të një individi, por e kauzës kombëtare dhe Referendumi të 1 dhe 2 Marsit.
Sot, po ju bëj një thirrje të gjithë qytetarëve, të rinjve, intelektualëve dhe institucioneve: përpiquni të mësoni dhe të ruani atë që disa përpiqen ta zhdukin. Pyetni rreth vetes: A e dini çfarë ishte Referendumi i 1 dhe 2 Marsit? A e dini se kush ishin organizatorët? A e dini se çfarë ëndrre përfaqësonte ai për shqiptarët e Luginës?
Jam i bindur që shumica nuk e dinë, e as ata që sot po qëndrojnë ulur përballë këtij këndi.

Mos lejoni që e kaluara jonë të heshtet nga mendësia e ngushtë e individëve që u frikësohen simboleve të vërteta dhe edukimit të brezave.
Nga Kujtim Sadriu