Kryetari Arbër Pajaziti: Në drejtim të një Bujanoci më funksional dhe më të rregulluar
Bujanoc, 18 qershor 2025 – Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, së bashku me bashkëpunëtorë nga Drejtorati për Investime, Drejtorati për Urbanizëm, Drejtorati për Çështje të Inspektimit si dhe ekspertë të fushës së komunikacionit, ka realizuar sot një inspektim në disa pjesë të qytetit me qëllim të hartimit të një plani të ri për organizimin e komunikacionit urban.

Inspektimi kishte në fokus identifikimin e mundësive për sistemimin e rrugëve njëkahëshe dhe dykahëshe, si dhe ndërtimin e parkingjeve të reja që do të ndihmojnë në përmirësimin e qarkullimit dhe lehtësimin e jetës së përditshme të qytetarëve.
Gjithashtu, pjesë e rëndësishme e këtij inspektimi ishte edhe rregullimi i hapësirave publike në qendër të qytetit, me theks të veçantë në sistemimin e kiosqeve, për të krijuar një ambient urban më të rregullt dhe estetikisht të këndshëm.
Një tjetër prioritet i theksuar nga kryetari Pajaziti ishte krijimi i këndeve të reja të lodrave për fëmijë, veçanërisht në parkun e qytetit, por edhe në lagje të tjera ku ka nevojë për hapësira rekreative.
“Jam i përkushtuar që Bujanoci të bëhet një qytet më funksional, më i rregulluar dhe më i përshtatshëm për të jetuar. Bujanoci është shtëpia jonë e përbashkët, të cilën së bashku do ta bëjmë më të bukur dhe më të lehtë për të gjithë,” u shpreh kryetari Pajaziti.
Ai shtoi se puna do të vazhdojë çdo ditë me qëllimin e vetëm për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit.
A1 info