Presheva përballë sfidave të zhvillimit arsimor – një apel për veprim institucional
Urbanizmi lokal po krijon barriera të padrejta për themelimin e Fakultetit Pedagogjik
Preshevë, qershor 2025 –
Iniciativa për themelimin e Fakultetit Pedagogjik në Preshevë, një nismë jetike për zhvillimin arsimor dhe ekonomik të rajonit, po përballet me bllokada të papranueshme institucionale – kryesisht nga sektori i urbanizmit në nivel lokal. Pavarësisht përmbushjes së kritereve akademike dhe sigurimit të fondeve të nevojshme, themelimi i këtij institucioni është penguar sistematikisht përmes mosveprimit administrativ dhe mungesës së transparencës.

Më 18 dhjetor 2023, zhvillova një takim udhëzues me përfaqësuesen e Trupit Kombëtar për Akreditim Fillestar dhe Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë. Pas këtij takimi, në bashkëpunim me fondacionin dhe partnerët profesionalë, vendosa që tarifa për studentët të jetë 12.000 dinarë për semestër – një politikë e vetëdijshme për të mbajtur arsimin e lartë të qasshëm për të gjithë të rinjtë e Luginës.
Megjithatë, që prej asaj kohe, edhe pse janë siguruar mbi 500.000 euro fonde të garantuara, procesi ka ngecur për arsye që nuk kanë të bëjnë as me standardet akademike, as me kapacitetet financiare. Problemi qëndron në sektorin e urbanizmit lokal, i cili nuk ka dhënë asnjë përgjigje zyrtare për kërkesat e dokumentacionit që lidhen me lejen e përdorimit të objektit, të paraqitura që nga shkurti 2024.
“Mungesa e përgjigjes dhe heshtja institucionale janë kthyer në normë. Kjo nuk është vetëm paaftësi – është një formë e heshtur sabotimi ndaj dijes dhe e ardhmes së këtij rajoni.”
Edhe më shqetësuese është fakti se, sipas hulumtimeve të kryera, janë lëshuar leje për objekte të ngjashme në kushte të dyshimta, pa ndjekur të njëjtat kritere strikte që po kërkohen në këtë rast. Kjo hedh hije të rëndë mbi barazinë para ligjit dhe nxit dyshime të bazuara për trajtimin selektiv apo ndikime politike.
Nismat për zhvillim arsimor në Preshevë janë penguar edhe më parë. Gjatë përpjekjeve për themelimin e Universitetit të Novi Pazarit, u përballa me rezistencë të hapur nga faktorë lokalë dhe mungesë mbështetjeje institucionale. Historia po përsëritet, por kësaj here pasojat janë më të mëdha dhe ndihen më gjerësisht.
Përballë kësaj situate, nëse nuk jepet një përgjigje zyrtare brenda një afati të arsyeshëm, do të ndërmarr grevë urie para Komunës së Preshevës, si një akt proteste simbolike ndaj një administrate që nuk po i shërben qytetarit, dijes dhe zhvillimit.
Ky nuk është problem personal. Qindra qytetarë të Preshevës janë në të njëjtën situatë. Po humbasin të drejtën për dokumentacion bazik për shkak të një sistemi që nuk funksionon. Kjo është një thirrje për përgjegjësi, transparencë dhe veprim institucional.
Koha nuk pret. Zhvillimi nuk mund të vonohet më.
Shkruan:
Kujtim Sadriu
Themelues i Universitetit të Preshevës – Dega në Preshevë